Gjykata e Posaçme urdhëron SPAK të nisë hetimet lidhur me prishjen e ndërtesave në zonën e 5 majit.
Prokuroria e Tiranës më herët e kishte hetuar këtë cështje dhe kishte vendosur pushimin e saj.
Një nga qytetarët, palë e demtuar vendimin e gjykatës së Tiranës që miratoi kërkesën për pushim të çështjes e ankimoi në Apel.
Gjykata e Apelit vendosi ta dërgojë çështjen për kompetencë të gjykatës së Posaçme.
Kjo e fundit e urdhëroi SPAK të nisë hetimin për rastin. Për shkatërrimet të zona e 5 majit janë kallëzuar Erion Veliaj e Arbjan Mazniku ndërsa është godirur dhe vendimi i qeverisë për prishjet.
SPAK do ta regjistrojë cështjen për shpërdorim detyre, por gjatë hetimeve mund të dalin edhe të dhëna apo fakte të tjera për vepra të tjera penale.
Njoftimi i GJKKO:
Pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me datë 08.09.2025 është regjistruar kërkesa me nr. 140 regj.them., dërguar për kompetencë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me kërkues Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 128, 128/a pika 1 shkronja “b”, 329 dhe 329/b e vijues të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 140, datë 30.09.2025, vendosi:
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me datë 14.04.2023, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.
Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Tiranë, më datë 02.10.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar