KQZ miraton fletën e votimit për 12 qarqe, gjysmë metër e gjatë dhe me 539 kandidatë në Tiranë

18 Mars 2025, 16:52Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fleta e votimit për zgjedhjet e 11 majit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar fletën e votimit me të cilën qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit do t’i drejtohen kutive në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ajo që bie në sy është madhësia e fletës së votimit, me përmasa 58,3 cm me 29,7 cm në të gjitha qarqet. Kjo vjen për shkak të numrit të lartë të kandidatëve nga 11 subjekte zgjedhore, ku vetëm në Tiranë do të ketë plot 539 emra që garojnë për deputet.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi shpreh se do të ishte mirë që emrat të ishin pak më të mëdhenj në mënyrë që të lexoheshin më mirë, por diçka e tillë mund ta bënte fletën e votimit kimikisht të madhe.

“Fleta e votimit është njësoj në kuptimin e madhësisë për të gjitha qarqet. Në Tiranë ka një dendësi më të madhe të emrave, por janë të gjithë të lexueshme, po të ishin me font më të madh do ishte më mirë. Por duke vendosur racionalitetin e madhësisë së fletës së votimit me mundësinë e leximit të kandidatëve, raporti qëndron mirë në këtë fletë votimi që kemi përgatitur”, tha Celibashi.

Fletët e votimit për 11 majin do të prodhohen nga kompania “Cetis” në Slloveni dhe shpërndarja tek diaspora, që voton për herë të parë, nis 10-ditëshin e parë të prillit.

Video