“Kontaktet nuk mund të shndërrohen në përgjegjësi penale”, Karçanaj tregon si e njeh Ergys Agasin

14 Maj 2026, 21:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mirlinda Karçanaj

Ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka komentuar për herë të parë publikisht raportin e saj me Ergys Agasin dhe hetimet e SPAK që lidhen me procedurat tek AKSHI, duke deklaruar se kontaktet institucionale nuk mund të interpretohen automatikisht si përgjegjësi penale.

Në intervistën e saj në Top Story me Grida Dumën, Karçanaj tha se Agasin e njeh nga koha kur ai ushtronte funksione në administratën publike dhe se marrëdhënia mes tyre ka qenë “korrekte si me të gjithë drejtuesit”.

“Në funksione publike është e domosdoshme të kesh kontakte, sepse në të kundërt nuk bëhet puna. Por kontaktet nuk mund të shndërrohen në përgjegjësi penale”, deklaroi ajo.

Karçanaj u shpreh se nuk i takon asaj të përcaktojë nëse Agasi ka apo jo përgjegjësi penale, duke theksuar se kjo është detyrë e akuzës dhe e procesit hetimor.

“Mund të ketë faj, nuk më takon mua ta them këtë. I takon akuzës të hetojë duke analizuar provat dhe dokumentat dhe më pas të dalë në përfundime”, tha ish-drejtoresha e AKSHI-t.

Sa i përket rolit të saj në institucion, Karçanaj deklaroi se drejtimi i AKSHI-t ka qenë i orientuar drejt zbatimit të ligjit dhe respektimit të procedurave.

“Ajo që mund të them për veten është se mënyra si e kam drejtuar institucionin ka qenë qartësisht e orientuar që të zbatohet ligji, të mos shkelet asnjë procedurë dhe gjithçka të jetë konform ligjit”, u shpreh ajo.

Karçanaj shtoi se fokusi i saj kryesor nuk kanë qenë prokurimet, por zhvillimet teknologjike të institucionit.

“Sa i takon prokurimeve, kam zgjedhur të mos merrem me të përditshmen. Madje kam deleguar rolin e titullarit të prokurimeve. Nuk i kam ndjekur prokurimet”, deklaroi ajo.

 

 


Video