Helmimi i studentëve, AKU ndërpret aktivitetin e Sori-Al, reagon kompania: Vendimi i nxituar, nuk kane dalë ende analizat

14 May 2026, 16:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Helmimi i studentëve, AKU ndërpret aktivitetin e Sori-Al, reagon

Konflikt apo siguri ushqimore?! Nga njëra anë bie alibia e “helmimit” të studentëve të Akademisë së Sigurisë, nga ana tjetër shpërthen terrori institucional i AKU-së ndaj biznesit!

Në vend që të kërkohet e vërteta dhe të mbrohet standardi ushqimor me profesionalizëm, po shohim skena presioni, represioni dhe ndëshkimi brutal, që ngjajnë më shumë me metodat e Gestapo-s sesa me një shtet që pretendon të hyjë në Bashkimin Europian.

Shqipëria nuk integrohet duke terrorizuar biznesin!

Shqipëria nuk bëhet europiane duke përdorur institucionet si kamxhik politik!

Pak kohë më parë, ish-Kryeinspektori Shkëlqim Hajdari anuloi masivisht gjobat arbitrare dhe dha një mesazh të qartë: kontrolli duhet të jetë fillimisht këshillues, jo ndëshkues. Por sot, AKU duket se ka zgjedhur rrugën e hakmarrjes dhe spektaklit mediatik.

Drejtoresha Blerina Gjylameti vazhdon ta shohë biznesin si armik politik dhe jo si partner strategjik të ekonomisë dhe integrimit europian. Dhe ky është rreziku më i madh, kur institucione jetike për sigurinë ushqimore drejtohen me mentalitet politik dhe jo me ekspertizë profesionale nga Ekspertë të fushës.

Deklarata e shoqërisë “SORI-AL” hodhi poshtë çdo pretendim për helmim, por një tjetër e vërtetë doli në dritë: dhuna administrative, presioni dhe represioni që AKU ushtron ndaj sipërmarrjes shqiptare.

Kur institucionet humbasin arsyen dhe kthehen në vegla presioni, nuk kemi më shtet ligjor. Kemi frikë. Dhe frika nuk është Europë.

Deklarata e Sori-AL pas vendimit të AKU

Në vijim të deklaratës publike të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si dhe përballë interesit të lartë publik dhe perceptimit të krijuar gjatë këtyre ditëve, Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k. ndjen detyrimin moral të vijojë të sqarojë opinionin publik mbi rrethanat reale faktike dhe dokumentacionin zyrtar të administruar deri më tani lidhur me ngjarjen e datës 06.05.2026 pranë Akademisë së Sigurisë.

Referuar dokumentacionit zyrtar të administruar nga Shërbimi Infektiv pranë QSUT, personat e paraqitur kanë shfaqur një tablo klinike të lehtë deri të mesme, ndërsa diagnoza është referuar vetëm si “gastroenterit akut i dyshuar” dhe jo si helmim ushqimor i konfirmuar laboratorikisht. Po ashtu, sipas të njëjtit dokumentacion mjekësor, pacientët kanë marrë trajtim simptomatik dhe janë larguar nga spitali brenda një intervali shumë të shkurtër kohor, nga 1 deri në 3-4 orë, në gjendje të stabilizuar dhe pa pasoja serioze për shëndetin e tyre.

Nga ana tjetër, raportet laboratorike dhe epidemiologjike të administruara deri më tani nga Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë identifikuar patogjenë viralë apo bakterialë tek personat e ekzaminuar. Po ashtu, tamponët rektalë të personelit kanë rezultuar negativë për Salmonella dhe Shigella, ndërsa analizat e ujit kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar sipas standardeve në fuqi.

Është gjithashtu me rëndësi të theksohet se vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë publik faktin se nga 9 mostra të kampionuara, 8 prej tyre kanë rezultuar brenda normave ligjore dhe mikrobiologjike të lejuara, ndërsa pretendimi për jokonformitet lidhet vetëm me një kampion të vetëm ushqimor. Ky kampion i përket vaktit të darkës, produkt i pakonsumuar, dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rastin e dyshuar për helmim të raportuar në datën 06.05.2026, pasi vetë episodi i raportuar lidhet me vaktin e drekës dhe jo me vaktin e darkës.

Megjithatë, ajo që nuk sqarohet në deklaratën publike të AKU-së është fakti se masa ekstreme e bllokimit total të aktivitetit nuk është mbështetur mbi ndonjë konkluzion përfundimtar laboratorik që provon ekzistencën e një episodi helmimi ushqimor të konfirmuar, por mbi raportin epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë, vetë ky raport epidemiologjik nuk rekomandon mbylljen e aktivitetit, por rekomandon monitorim, masa korrigjuese higjieno-sanitare dhe ndjekje të mëtejshme të situatës.

Pavarësisht kësaj, ndaj subjektit janë marrë masa ekstreme administrative, përfshirë bllokimin total të aktivitetit dhe vendosjen e gjobave të shumëfishta, masa të cilat janë në tejkalim të kompetencave të parashikuara nga Neni 46, pika 2 e Ligjit për Inspektimin  dhe Neni 47 i Ligjit “Për Ushqimin”.

Shoqëria “SORI-AL” konsideron se çdo masë administrative duhet të mbështetet mbi prova të plota, standarde ligjore dhe respektim rigoroz të procedurave administrative, dhe jo mbi interpretime paraprake apo trajtime që krijojnë impakt publik disproporcional përpara përfundimit të hetimeve.

Pavarësisht situatës së krijuar, shoqëria jonë ka marrë menjëherë masa të shtuara higjieno-sanitare, duke realizuar pastrim të thelluar, dezinfektim dhe ndërhyrje profesionale D.D.D.

Shoqëria “SORI-AL” do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet kompetente, duke ndjekur njëkohësisht të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj të ligjshme.

Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k.


Video