Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga puna gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Ata janë pjesë e policisë në Shkodër dhe Lezhë, dhe sipas AMP-së, në korrik të këtij viti, ata konstatuan një parcelë me 1 mijë rrënjë kanabisi dhe nuk e asgjësuan bimën narkotike.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" dhe "Ndalim i daljes jashtë shtetit" ndaj 6 punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e kryer në bashkëpunim.
Nënkomisar Ardian Baçina, me detyrë Ekspert kriminalist pranë DVP Shkodër.
Inspektor Sokol Kroni, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Inspektor Zef Doçi, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Inspektor Kristjan Lokthi, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Nënkomisar Gjergj Mala, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale qenë me detyrë Shef i Stacionit Policor në Theth, dhe aktualisht Zv/Shef Seksioni/Specialist në Seksionin Special të Ndërhyrjes Taktike në Njësinë Speciale “RENEA”.
Inspektor Faik Latifi, me detyrë Ndihmës Specialist për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Nga hetimet e thelluara disa mujore dyshohet se këta punonjës policie nuk kanë asgjësuar rreth 1000 bimë narkotike, të cilat u gjetën në proces tharje gjatë një operacioni të zhvilluar në Korrik të këtij viti, pavarësisht se janë konstatuar nga ana e tyre gjatë kontrollit të territorit në Njësinë Administrative Shalë, Bashkia –Shkodër.