Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur sot për të dytën herë në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Gjykata e Posaçme për koncesionin e Sterilizimit.
Beqaj po hetohet nga SPAK nën akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që mbante postin e ministrit.
Njësoj si herën e kaluar, Beqaj qëndroi për pak minuta në ambientet e SPAK dhe më pas u largua pa folur për mediat.
Në 24 nëntor, ai u paraqit në ambientet e SPAK për herë të parë pas caktimit të masës së sigurisë. Sipas vendimit të GJKKO, ish- ministri Beqaj duhet të paraqitet çdo të të premte në orën 15:30 para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Ish ministri i Shëndetësisë pas seancës në gjykatën e Posaçme më 20 nëntor, e para pas caktimit të masës detyrim paraqitje, u shpreh se do të jetë në dispozicion të këtij procesi. Ai u ka qëndruar deklaratave të tij se nuk do të apelojë masën e sigurisë të caktuar nga GJKKO.