Në 5 vitet e fundit, në Terminalin Lindor të portit Durrës janë përpunuar mbi 3 milionë tonë mallra si skrap, qymyr, krom, çimento etj. Shumica e lëndëve që përpunohen aty, përbëjnë rrezik konstant ndotjeje.
Sapo grupi i xhirimit të Inside Story shfaqet, aty afrohen persona që kërkojnë të ndalim menjëherë filmimin në zonë. Një kërkesë e pakuptimtë që nuk cënon asnjë normë tregtare që lidhet me ruajtjen e konfidencialitetit. Nëse shikon pamjet, refuzimi nga ana e punonjësve të kompanisë që operon këtë terminal, merr kuptim.
Tonelata të tëra skrapi dhe mineralesh janë të shpërndara në shkelje të plotë të kritereve mjedisore.
“Nëse ka mbetje të mineraleve në kalatë bien reshjet, kullimi i kalatës direkt në det zbret, është e lehtë të imagjinosh që do ketë ndotje se s’bën të basenit. Pluhuri i klinkerit që ngrihej në ajër, shkonte nëpër qytet, në dritare etj”, thotë Bledar Konçi ish-vinçier i konçesionarit EMS.
Shërbimi i përpunimit të mallrave rifuxho, realizohet nga një kompani koncesionare e quajtur “EMS Albanian Port Operator” prej muajit Maj të vitit 2013. Pra, kontrata është nënshkruar nga qeveria Berisha vetëm 1 muaj para zgjedhjeve parlamentare të atij viti dhe ka një kohëzgjatje prej 35 vitesh. Ligji parashikon që subjekti duhet të pajiset me leje mjedisore dhe strukturat përkatëse shtetërore kanë detyrim të monitorojnë përmbushjen e kritereve.
“Problematikat mjedisore në Portin e Durrësit janë ndjekur në vijimësi nga Agjencia Rajonale e Mjedisit pas shqetësimeve të drejtë të banorëve të qytetit të Durrësit për ndotjen e ajrit nga grimcat e pluhurit të mineraleve të ndryshme. Në historikun e kësaj problematike mbi operatorët portualë, janë marrë disa masa administrative dhe vendime të ndërmjetme për pezullimin e operacioneve të caktuara kohe pas kohe, duke rekomanduar zbatimin e normave Mjedisore”, thotë Diana Mile, drejtore Pranë Agjencisë Rajonale të Mjedisit.
“Te terminali janë hasur lëndë shpërthyese. Mes skrapit kishte predha të pashpërthyera, fishekë etj, etj. Gjithë ai volum skrapi s’kishe çfarë masash të merrje, thjesht shpresonim mos kishim fatin e keq”, thotë vinçieri Konçi.
Jo vetëm ndotje, raportet zbulojnë se si privati rrezikonte shembjen e kalatave
Inside Story, ka siguruar dokumente ekskluzive që bëjnë fjalë për inspektime që lidhen jo vetëm me ndotjen, por edhe me shkeljen e kritereve për sasitë peshëmbajtëse të kalatës. Kjo vërtetohet përmes dy akteve të konstatimit të shoqëruara me fotot përkatëse. Akti-konstatimet i përkasin datave 7 dhe 12 janar 2021.
Por, le ti analizojmë konkretisht. Në akt-konstatim, sasitë e zinkut të depozituara që shihni në foto janë në 2 metër lartësi. Sipas formulave, ngarkesa rezulton se ka arritur plot 14.28 ton për metër katror. Ndërkohë, pesha e lejuar është vetëm 6 ton për metër katror. Pra, përveç ndotjes depozitimi pa kriter cënon sigurinë e kalatës, aset i shtetit shqiptar.
“Është respektimi i parametrave të lejuar të peshëmbajtjes, të materialeve në sheshe dhe kalatat e portit, kjo përbën rrezik për dëmtime të infrastrukturës”, thotë Ilir Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Financës pranë Autoritetit portual Durrës.
Kompania që ka konsumuar këto shkelje operon prej 10 vitesh Terminalin Lindor dhe është një prej 3 koncesioneve sot në Portin e Durrësit. Bie në sy fakti se 2 nga këto kontrata koncesionare janë nënshkruar gjatë fushatës për zgjedhjet e vitit 2013 dhe njëra para zgjedhjeve të vitit 2011.