Kemi parë shpesh që shumë afera korruptive, janë fshehur pas ndonjë ambasadori që bën deklarata mbështetëse, apo të ndërkombëtarëve që heshtin përballë tyre. Siç kemi parë korruptime deri në nivelet më të larta të institucioneve amerikane siç është rasti i ish-drejtorit të FBI-së Charles Mcgonigal. Edhe në aferën e tunelit të Llogarasë duket se nuk mungojnë gjurmët, apo të paktën dyshime për korrupsion ndërkombëtar.
Në dosje, SPAK ka shtrirë hetimet edhe mbi një kompani të huaj, Hill International. Kjo kompani mbërriti në Shqipëri me bujë si konsulente e paguar nga Bashkimi Europian për të konsultuar qeverinë shqiptare në projektet madhore infrastrukturore. Nga një brand ndërkombëtar i reklamuar nga Edi Rama, si asistenca europiane në Shqipëri, dokumentet e SPAK na tregojnë se Hill International ka përfunduar në ortake e Evis Berberit në abuzimin me tendera.
Detajet mbi aktivitetin në Shqipëri të kompanisë Hill International mësohen nga dosja e Prokurorisë së Posaçme për Tunelin e Llogarasë. Emisioni Plug e lexoi me shumë vëmendje Vendimin për Komunikimin e Akuzës për shtetasen Mirzeta Kashnica dhe konstatoi disa të dhëna shumë interesante për të cilat investigoi dhe më tej. Në faqen 4 të vendimit prokurori analizon konsulencën nëpërmjet e-maileve mes Hill International.
SPAK
Në vijim përshkruhet se në me datë 03.12.2020 nga shtetasi Joseph Obeid, ekspert I konsulentit Hill International, është dërguar me email drafti I dokumenteve standarte të tenderit për projektin e tunelit të Llogarasë. Nga njësia e prokurimit është sqaruar se për hartimin e kritereve të veçanta janë përdorur disa nga kriteret e sugjeruara në draft ngs konsulenti. Në lidhje me hartimin e dokumenteve standarte të tenderit rezulton se në datën 03.12.2020, në orën 15.38, shtetasi Joseph Obeid me adresë emaili [email protected] I ka dërguar email shtetases Arta Gurabardhi, me adresë email agurabardhi@gmail,com, ku e njofton se bashkëlidhur këtij email do të gjejëversionin e rishikuar të draft dokumenteve standarte të tenderit. Po ashtu në datën 03.12.2020 shtetasi Joseph Obeid I ka dërguar email shtetases Jetmira Dervishi, ku bashkëlidhur gjendet dokumenti I titulluar “01 Llogara Tunnel TDV” si dhe I shkruan se më poshtë do të gjejë dhe emailin që I ka dërguar më herët Artës.”
Në faqen 8 të vendimit prokurori nxjerr edhe një tjetër detaj të rëndësishëm, se edhe afatet tenderuese janë shtyrë me sugjerim të kompanisë Hill International, që ka rolin e konsulentit.
SPAK
Me proçesverbalin e Njësisë së Prokurimit, datë 31.12.2020, bazuar në shkresën nr.8963/2prot, datë 30.12.2020 të Drejtorit të projektit për asistencën teknike të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetasit Ioannis Kirkinezis, është vendosur të hartohet një shtojcë duke ndryshuar shtojcën 12 “Kriteret e veçanta të kualifikimit” Me shkresën nr.8526/6, datë 24.12.2020, të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases Viola Haxhiademi, është hartuar shtojca për ndryshimin e kriterit dhe shtyrjen e afatit të tenderit.
Pra sipas asaj që shkruan prokurori në dosje Konsulenti ka ndryshuar kriteret me shkresë të datës 30.12.2020, ndërsa Viola Haxhiademi i ka miratuar 6 ditë më parë, në datën 24.12.2020 duke shtyrë dhe afatin e tenderit. Mbase është dhe lapsus, por me çkemi parë në dosjet e tjera si inceneratorë, check-up etj sigurisht me rilidnasit çdo gjë është e mundur.
Pasi lexuam këto dy pasazhe në dosje vendosëm të investigojmë dhe më tej, kush janë këta shtetas, me çfarë kontrate konsulence janë përzgjedhur dhe kush i paguan.
Kompania Hill International NV, është regjistruar në QKB në datën 21.06.2019, si Degë e Shoqërisë së huaj. Shoqëria Hill International NV është e regjistruar në Hollandë. Administrator I shoqërisë do të ishte shtetasi Grek, Emmanouil Sigalas.
Adresa e regjistrimit është Rruga "Papa Gjon Pali Il-te", Ndertesa nr. 12, Qendra e Biznesit ABA, Kati 12.
Në shtojcën SHËNIMET, në bilancin e deklaruar në vitin e themelimit kompania saktëson:
Hill International NV
Dega ka filluar aktivitetin e saj në Shqipëri, në bazë të kontratës së Shërbimit "Europe Aid/139665/DH/SER/AL" se lidhur midis HILL International NV dhe Bashkimit Europian, perfaqesuar nga Komisioni Europian, ne kuader te asistences teknike per forcim kapacitetesh dhe planifikim, pergatitje dhe zbatim i projekteve te infrastruktures ne Shqiperi.”
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se Kompania Hill është përzgjedhur nga Komisioni Europian në kuadër të programit, të Veprimit IPA 2015 për asistencën ndaj Shqipërisë në kuadër të mbështetjes së një vendi që ka hyrë në procesin e integrimit dhe kohëzgjatja e këtij programi, pra asistencës që Hill do ti jeprte qeverisë shqiptare do të zgjasnin për 36 muaj.
KOMISIONI EUROPIAN
Programi i Veprimit IPA 2015 për Shqipërinë - Lehtësimi për Integrimin në Bashkimin Evropian ka një komponent për ofrimin e Asistencës Teknike (AT) për Qeverinë e Shqipërisë për ndërtimin e kapaciteteve për identifikimin, formulimin, zbatimin dhe monitorimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës. Qëllimi është të mbështetet krijimi i një strukture për të ofruar asistencë teknike për disa institucione/agjenci shqiptare përgjegjëse për zbatimin e projekteve/programeve të mëdha të infrastrukturës në sektorë kyç si Transporti, Energjia, Mjedisi, Infrastruktura Sociale dhe Infrastruktura e Biznesit. AT do të ofrojë një ekip ekspertësh që do të identifikojnë nevojat dhe do të ndihmojnë e trajnojnë institucionet/agjencitë përfituese për përmirësimin e kapaciteteve të tyre për zbatimin e projekteve të infrastrukturës. AT do të kontribuojë në përmirësimin e aftësive të tyre në menaxhimin e projekteve të tilla, nga faza e identifikimit deri në mbyllje, përmes trajnimit, trajnimit në vendin e punës dhe mjeteve të tjera të mbështetjes së kapaciteteve. Kjo AT përfshin gjithashtu mbështetje për planifikimin dhe koordinimin, përgatitjen dhe përditësimin e linjës së Projekteve të Vetme Kombëtare me Prioritet.
Pra është e qartë se kjo kompani është përzgjedhur nga Komisioni Evropian për të dhënë asistence në Shqipëri dhe për këtë shërbim do të paguhet tërësisht nga Fondet e BE, sipas dhe përcaktimeve të fondeve IPA. Kjo kompani sipas bilancit për vitin 2019 kishte 3 punonjës dhe si objekt deklaron se ka ofrimin e konsulencës për Qeverinë Shqiptare. Në këtë vit, të ardhurat e saj do të ishin mbi 70 milionë lekë të reja. Por disa të dhëna interesante nga bilanci i kompanisë tregojnë se përveç fondeve nga BE, Hill International ka nisur të marrë pagesa edhe nga Qeveria shqiptare. Konkretisht që në vitin 2019, ka përfituar nga këshilli i Ministrave pagesë 31 milionë lekë ose rreth 310.000 euro me kursin e sotëm.
Emisioni PLUG kërkoi në disa databaza për të parë nëse kjo kompani rezulton fituese e ndonjë tenderi në Shqipëri për vitin 2020 por nuk rezultoi një e dhënë e tillë. I vetmi moment ku Qeveria Shqiptare përmënd emrin e Hill International është në konferencën e datës 1 Korrik 2020, ku shpallin procedurën për rrugën Milot-Fier. Por në fjalën e saj Ministrja Balluku shprehet se kjo konsulencë është paguar totalish me fondet e Bashkimit Evropian.
Edhe për këtë vit numri i punonjësve është 3, edhe pse vijon të deklarohet në Tatime si një kompani me humbje në shifrën 28 milionë lekë. Në bilancin e vitit 2021, kompania deklaron ndryshime edhe për vitin 2020, pasi deklaron shpenzime më të larta dhe humbje më të madhe. Shpenzimer arrijnë vlerën 104 milion dhe humbja 38 milion lekë. Humbja vazhdon dhe për vitin 2021 në vlerën 12 milion.
Në janar të vitit 2023 si administrator, emërohet shtetasi Ioannis Kirkinezis dhe këtu duket se situata fillojnë të ndryshojnë për kompaninë Hill International.
Në vitin 2022 kompania deklaron se ka 148 milion lekë të paarkëtuara nga Këshilli i Ministrave por ka dhe rreth 30 milion lekë të paarkëtuara nga furnitorë vendas dhe të huaj. Kujtojmë se në maj të vitit 2021 kjo kompani firmosi kontratën me MIE për supervizimin e tunelit të Llogarasë.
Emisioni PLUG analizoi faturimet e kësaj kompanie për të parë nëse të ardhurat e deklaruara dhe të paarkëtuara nga këshilli I ministrave lidhën me Tunelin e Llogarasë apo për ndonjë procedurë tjetër e cila nuk është bërë transparente. Sipas informacionit të deklaruar në thesar, fatura e parë e lëshuar për tunelin e Llogarasë mban datën 08.07.2022. Hill International ka përfituar për vitin 2022, 48 milion lekë pagesa nga Ministria e Infrastrukturës. Pra është e qartë se 110.000.000 lekë të reja shtim në faturat e papaguara nga Këshilli i Ministrave për vitin 2022 nuk lidhën aspak me tunelin e Llogarasë pasi e gjithë kontrata për 3 vite do të ishte 196.000.000 lekë.
Emisioni Plug ju drejtua me një kërkesë për informacion Këshilli të Ministrave duke e pyetur se cila është marrëdhënia që ata kanë me kompaninë Hill International, a kanë kontraktuar ata shërbime nga kjo kompani përtej kontratës së konsulencës që paguan Bashkimi Evropian, dhe sa është shuma e paguar nga Këshilli i Ministrave për kompaninë Hill International, pasi në bilancin e kompanisë për vitin 2022 shuma e paarkëtuar nga Këshilli i Ministrave arrin në vlerën 148 milion lekë, për vitin 2023 është 144 milion dhe për vitin 2024 është 73 milion.
Ndërsa erdhi në Shqipëri si një brand ndërkombëtar me eksperiencë në BE e SHBA, Hill International në këtë vit do të rezultojë pjesë e rrjetës korruptive të projekteve shqiptare. Në Maj të vitit 2022 kompania Hill International lidh kontratën me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës për Supervizimin e Punimeve për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Ky tender që është objekt hetimi nga SPAK, e për të cilin Ervis Berberi ndodhet në qeli, ngre pikëpyetje të mëdha mbi Hill International, pasi siç është provuar tashmë nga SPAK, tenderi ka shkelje të rënda.
Tenderi me objekt mbikqyrës punimesh në objektin “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë - Sarandë), u shpall në datën 25 nëntor 2021, ndërsa mbajtja e tnenderit u bë një muaj më pas, në datën 27 dhjetor tëp o atij viti. Vlera e fondit limit të tenderit ishte 196 240 667 pa TVSH apo rreth 1.9 milionë euro. Garë morën pjesë bashkimi i operatorëve “Stucky” l.t.d & “Gjeokonsult & CO” sh.p.k dhe bashkimi i operatorëve “Hill International N.V” & “NetGroup” sh.p.k, ku këto të fundit do të rezultonin edhe fitues të kësaj procedure me ofertën 194 700 000 apo gati 95 përqind të vlerës së fondit limit.
Eisioni Plug arriti të sigurojë detaje nga dosja hetimore e SPAK, për abuzimet në tenderin e supervizimit. Sipas parashikimeve të kontratës, kompania “Hill International N.V” dhe kompania e Valter Begajt, mikut të Evis Berberit, NET-GROUP, do të duhet të mbikqyrnin punimet dhe më pas të dorëzonin veprën e përfunduar të Tunelti të Llogarasë brenda një periudhe prej 34 muajsh. Ky tender, dyshohet se është i paracaktuar. Të dhëna të rëndësishme që kanë faktuar këtë fakt, janë zbardhur nga mesazhet e telefonit të llojit “blackberry”, që SPAK i sekuestroi ish-kreut të ARRSH Evis Berberi. Nga hetimi është zbardhur se përfaqësuesi i kompanisë holandeze “Hill International N.V”, Ioannis Kirkinezis, ka hartuar dokumentet standarde të tenderit për supervizimin e punimeve në tunelin e llogarasë. Hetimi ka zbardhur gjithashtu se Evis Berberi ka qenë personi që ka orientuar shtetasin grek Ioannis Kirkinezis, që të bashkëpunojë me administratorin e shoqërisë shqiptare “NET-GROUP”, Valter Begaj, për të krijuar një marrëveshje bashkëpunimi dhe për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit.
Pra në mënyrë të përmbledhur, Kompania Hill International, pasi u pagua nga bashkimi Europian për të këshilluar qeverinë shqiptare se si të kryente projektet dhe prokurimet publike, pasi këshilloi se si duhet të viheshin kriteret, hartoi vetë procedurat në fund u fut edhe në garë sëbashku me kompaninë e Elvis Berberit dhe Valter begajt, për të fituar tenderin. E duke supervizuar punimet, kompania e drejtorit të ARRSH-së sëbashku me kompaninë e paguar nga Bashkimi Europian për të ardhur në Shqipëri, harruan të konstatonin mungesën e urës.
Hill International, sipas kontraktimit nga Bashkimi Europian duhet të ishte në Shqipëri si konsuelnte e qeverisë shqiptare, por duket se paratë e taksapaguesve shqiptarë janë parë si një mundësi e mirë biznesi, shtuar edhe bashkëpunimin e ngushtë me drejtuesit e institucioneve që i jepnin këto fonde.
Supervizimi i Tunelit të Llogarasë nuk është i vetmi tender që Hill Interntional ka fituar. Po nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, nën drejtimin e Elvis Berberit, hill International, në vitin 2024 fitoi tenderin me vlerë deri në 14.5 milionë lekë të reja për supervizimin e punimeve të “Qendrës së Monitorimit të Trafikut faza e dytë”. Fitimi i këtij tenderi konfirmon edhe më shumë bashkëpunimin mes Berberit dhe administratorit të Hill International, shtetasin Ioannis Kirkinezis. E projkti i monitorimit të trafikut, lidhej sërish me akset rrugore për të cilat kompania Hill ishte pajtuar nga KE për të konsultuar qeverinë shqiptare, që niste nga Miloti e përfundonte në Palasë.
Gjithashtu Hill International rezulton të jetë fituese edhe një tjetër tenderi të dhënë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Sipas njoftimit të datës 25.08.2021 nga FSHZH, kjo kompani sëbashku me shoqërinë Civil Cons, kanë fituar tenderin në vlerën 245.000 euro për “Supervizimin e punimeve për integrimin urban në Bashkinë Gjirokastër.”
Mbetet e paqartë sesi kjo kompani e cila në vitin 2019 përzgjidhet nga Bashkimi Evropian për të dhënë asistence në fushën e infrastrukturës për një periudhë 3 vjeçare, përfundon të jetë përfituese e miliona eurove nëpërmjet tenderave po në fushën e infrastrukturës të dhëna pikërisht nga institucionet me të cilat bashkëpunonte. Në rastin e Tunelit të Llogarasë situata është dhe më flagrante pasi, Hill International ka qënë e përfshirë me konsulencën e saj që nga DST e projektit deri te DST e tenderit 190 milion euro e në fund fiton tenderin për të monitoruar punimet. Për këtë SPAK, ka marrë në pyetje edhe administratorin grek të kompanisë Ioannis Kirkinezis. Ky i fundit ka qëndruar mbi 6 orë në SPAK duke dhënë shpjegime dhe pas përfundimit të orarit zyrtar, prokurori i çështjes Dritan Prençi, është kujdesur që dëshmia e grekut të ndërpritej dhe më pas ka vijuar ditën tjetër. Kirkinezis ka bashkëpunuar me prokurorinë duke treguar të gjithë dinamikën e plotë që çuan atë dhe “Net-Group” të Valter Begaj, në fitimin e kontratës prej 2 milion euro për supervizimin e punimeve të tunelit të Llogarasë. Ai i ka pohuar hetuesve të BKH-së dhe prokurorit Prençi të gjitha marrëveshjet që ka bërë në vitin 2021 e në vijim me Valter Begaj të “Net-Group” që tashmë ndodhet në burg si dhe biznesin me drejtorin e ARRSH-së Alvis Berberi, që sipas pagesave të BE-së, duhet të shërbente si këshillues e jo si ortak në përfitimin e tenderave.
Sipas dokumentave zyrtare të sekuestruara tashmë nga SPAK, kompania “Hill Internacinal N.V” e inxhinierit Grek dhe “Net Group” e Valter Begaj, në total ka përfituar në 14 transaksione të bëra nga Ministria e Infrastrukturës, 1 miliard e 979 milion lekë, apo rreth 2 milione euro.
Emisioni Plug i është drejtuar zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë dhe zyrës së OLAF, ku ka kërkuar të informohet nëse kjo kompani është në kushtet e konfliktit të interesit dhe nëse OLAF gjatë auditimit i ka konstatuar apo hetuar këto indicie në lidhje me kompaninë Hill International, e për më tepër që ë krye të herës, konsuelnca objective dhe e pavarur e kësaj kompanie është reklamuar nga kryeministri Edi Rama si ndëkomtarizimi i projekteve infrastrukturore.
SPAK e dyshon si pjesë të abuzimit me tenderat, pasi Hill International sëbashku me kompaninë e Elvis Berberit dhe Valter Begajt fituan tenderin e supervizimit. Kryeministri Edi Rama e shet si garancia ndërkombëtare, e tenderave të tij. Tashmë i mbetet Bashkimit Europian të sqarojë nëse Hill International, e sjell në Shqipëri nga taksat e qytetarëve europian, përmbush misionin për të cilën është kontraktuar, apo edhe ajo si shumë raste në të shkuarën është përdorur si maska europianizimit të korrupsionit shqiptar. /Syri.net