Avokati Ulian Barjami është arrestuar këtë të shtunë, pasi është denoncuar nga prokurori i Elbsanit Gjergji Ceka së është kërcënuar gjatë një seance gjyqësore.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme gjatë seancës ndaj Maksim Lika, i njohur edhe me nofkën “Suci”, të cilin e përfaqësonte avokati Barjami.
Por rrethanat e ngjarjes sipas komukikatës së Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë janë të ndryshme.
Sipas Dhomës së Avokatisë, avokati është arrestuar vetëm pse kundërshtoi provat e prokurorit në seancën gjyqësore.
“Dje, më datë 17.10.2025, është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Maksim Suçi etj., seancë e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, nga gjyqtarja Megi Strakosha, ku akuza përfaqësohej nga prokurori Gjergji Ceka.
Avokati mbrojtës i shtetasit Maksim Suçi, avokat Ulian Barjami, pasi konstatoi provën me video të parashtruar në seancë, ku klienti i tij nuk shfaqej aspak duke kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, deklaroi se do të bëjë kallëzim për falsifikim provash ndaj prokurorit, pasi procesverbali me shkrim i sjellë nga prokurori në gjykim përshkruante një situatë ku klienti i avokatit Barjami kishte ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Prokurori Ceka, i irrituar nga ky deklarim, replikoi me avokatin Barjami duke i thënë: “Ti duhet të arrestohesh, do të arrestohesh!”, dhe ndërkohë, i nervozuar, kthente kokën nga punonjësit e policisë prezentë në sallën e gjyqit.
Avokati Barjami replikoi duke deklaruar: “Do të bëj kallëzim, se ke shkelur ligjin.”
Për këto deklarime ndërhyri gjyqtarja Strakosha, e cila i sqaroi avokatit Barjami se duhet të shmangte këtë diskutim dhe të fokusohej në interpretimin e provës në atë moment, pa u marrë me atë se çfarë do të bënte në vijim”, thuhet në komunikatë.
Më seanca vijoi e qetë dhe përfundoi normalisht, pa asnjë debat apo diskutim mes palëve.
“Prokurori Ceka nuk e la me kaq dhe, me sa duket, ka paraqitur kallëzim ndaj avokatit, me qëllimin në vetvete për ta arrestuar, ashtu siç deklaroi në seancë.
Mbi bazën e këtij kallëzimi, avokati Barjami është thirrur sot, më datë 18.10.2025, në orët e paradites nga oficerë të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, duke i thënë në telefon fillimisht se duhej të jepte vetëm disa sqarime.
Pas shumë orësh i mbajtur në komisariat, në orët e pasdites, rreth 15:00 – 15:30, punonjësja e policisë Zmeralda Mehilli ndalon me iniciativë avokatin Barjami si të dyshuar për veprat penale:
-Kanosja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit", dhe "Kanosja e gjyqtarit", pasi, sipas saj, ka kërcënuar prokurorin e çështjes, Gjergji Ceka, dhe oficerët e policisë gjyqësore që kanë kryer veprime hetimore.
Procesverbali është shkruar dhe nënshkruar nga OPGj-ja Mehilli, sikur është kryer shumë kohë më pas, në orën 17:40, ndërkohë që ndalimi realisht është kryer në orën 15:00”, përfundon komunikata.