
Dy persona janë arrestuar në Sarandë, pasi u kapën duke tentuar të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantë të huaj, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin për të vijuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në pranga ranë shtetasit Aztrid Doda, 50 vjeç dhe Fatos Çifliku, 59 vjeç, të dy banues në Tiranë. Ata u kapën në vendin e quajtur “Pagane”, pranë vijës kufitare me Greqinë, ndërsa ishin me dy automjete me të cilat, sipas Policisë, do të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantët.
Gjashtë shtetasit e huaj, nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, u proceduan penalisht. Policia sekuestroi edhe dy automjetet që do të përdoreshin për transportimin e emigrantëve.
Njoftimi i Policisë
“DVKM Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Kufijtë”, goditet një rast i tentativës për të ndihmuar emigrantë nga Vendet e Treta, për të kaluar ilegalisht kufirin.
Arrestohen 2 shtetas që u kapën në afërsi të kufirit me Greqinë dhe tentuan të transportonin me 2 automjete, kundrejt pagesës, 6 emigrantë që synonin të kalonin në vendet e BE-së.
Procedohen penalisht 6 emigrantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, pasi kishin hyrë ilegalisht në territorin e Shqipërisë.
Sekuestrohen 2 automjetet më të cilat do të transportoheshin emigrantët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Kufijtë”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit A. D., 50 vjeç dhe F. Ç., 59 vjeç, banues në Tiranë.
Këta 2 shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare, në vendin e quajtur “Pagane”, afër vijës kufitare me shtetin grek, me 2 automjete me të cilat do të transportonin kundrejt pagesës, 6 shtetas të huaj që synonin të kalonin ilegalisht kufirin, për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht 6 emigantët nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, pasi kishin kaluar ilegalisht kufirin tokësor me Greqinë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, shkruan policia.