Jo vetëm Xhulio Prelaj, Brilant Martinaj i implikuar në vrasjen e bujshme të një tjetër efektivi

18 July 2022, 08:40Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jo vetëm Xhulio Prelaj, Brilant Martinaj i implikuar në vrasjen e
Brilant Martinaj u vra dhe më pas u dogj brenda makinës

Shënjestër e atentatit të ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës dyshohet të ketë qenë 22-vjeçari Brilant Martinaj, trupi i pajetë i të cilit së bashku me Arbër Hoxhën u shkrumbuan brenda automjetit me të cilin udhëtonin.

Brilant Martinaj është kushëriri i parë i Ervis Martinajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për porositjen e vrasjes së Endrit Dokles pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Po ashtu Brilanti rezulton në kërkim për vrasjen e efektivit të FNSH-ve Xhulio Prela në 5 nëntor të 2020-ës, por edhe një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi.

Konflikti dy vite më parë me Xhuljo Prelën dyshohet se nisi pas një sherri për dritat e gjata të makinës, pasi Prela, i cili po kthehej nga fshati Kosmaç i Shkodrës ndaloi teksa autorët i sinjalizuan me drita dhe elektrik dore.

Duke menduar se ata mund të kishin nevojë për ndihmë, Prela ndaloi por u përball me plumbat nga një pistoletë TT e autorëve.

Prokuroria tha se nga analiza e qelizave telefonike, ishte provuar se në vendngjarje ndodhej edhe Brilant Martinaj.

Emri i Brilant Martinajt përmendet si një prej të dyshuarve edhe në vrasjen e bujshme të 1 nëntorit të vitit të shkuar në qytetin e Laçit, ku që në orët e para të mëngjesit, në afërsi të një banke iu bë atentat ish-policit 60-vjeçar Xhelal Reçi.

Nga vrasja e ish-policit Xhelal Reçi ka pasur disa vrasje që besohet se kanë qenë lidhje e Brilant Martinaj dhe kushëririt të tij të parë Ervis Martinaj.

Në gusht të vitit 2020, djali i Xhelal Recit, Besniku, ishte ai që i kishte shpëtuar një atentati të mirë organizuar teksa ishte duke udhëtuar në rrugën Lezhë-Shëngjin bashkë me dy fëmijët e mitur dhe bashkëshorten kur dy persona të armatosur me motor, e ndoqën dhe tentuan ta vrisnin.

 


Video