Iu prishën banesat nga aksi Thumanë-Kashar, 6 familje kërcënojnë se do të digjen me benzinë!

15 Maj 2024, 09:51Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një ngjarje e rëndë është duke ndodhur këtë të mërkurë në zonën e Bërxullës, ku 6 familje kanë hipur në tarracat e banesës së tyre, dhe kërcënojnë se do të digjen me benzinë. Banesat e tyre do të shemben në kuadër të projektit për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

Familjarët kanë paralajmëruar se do të spërkaten me benzinë dhe do t’i vënë flakën vetes nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

IKMT sapo ka mbërritur dhe është në pritje të marrjes së sinjalizimit për shembjen e këtyre banesave.

Familjarët pretendojnë se atyre iu është premtuar dëmshpërblim, ndërsa në momentin e fundit kjo iu është mohuar nga ana e qeverisë.

“Kemi dy muaj që na kanë ikur fëmijët nga shtëpia, se nuk rrinë dot në shtëpi. Nuk na kanë vlerësuar fare, duam ose dëmshpërblim ose çelësat e shtëpive në dorë. Ne jemi 6 familje me 40 veta”, shprehet një prej familjarëve që ndodhet në tarracën e banesës.

Një banore tjetër thotë se procesverbali që iu është dhënë nga IKMT ka kërkuar që ata të lënë menjëherë banesat.

‘Nuk kemi ku të shkojmë, kemi 30 vite që jetojmë këtu, kemi 10 vite që kemi aplikuar për legalizim, dhe na kanë skualifikuar. Nuk na pranonin letrat, se paguanin lekët të tjerët, dhe ne na i kthenin mbrapsht’, thotë një tjetër qytetare.

Banorët thanë se fillimisht iu është deklaruar se do të merrnin dëmshpërblim për banesat e tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ndërsa akuzojnë kompaninë Gener 2 që ka paguar para që atyre të mos iu dilte leja e legalizimit.

Në terren kanë mbërritur dhe dhjetra forca policie që pritet të ndërhyjnë për zbritjen e familjarëve nga tarracat e banesave të tyre.

Video