Gjykata e Lezhës ka liruar nga qelia 30-vjeçarin Gjergj Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit socialist Eduard Ndreca, duke i caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje".
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Artan Hajredinaj, i cili perdori si argument kërkesen e prokurorit Francesk Ganaj, i cili ka kërkuar pushimin e akuzes dhe caktimin e nje mase më të butë ndaj 30-vjeçarit Gjergj Ndreca.
Gjergj Ndreca ishte shpallur në kërkim prej një viti për kultivim kanabisi pas zbulimit të rreth 4 mijë bimëve kanabis sativa nga Forcat Speciale RENEA në qershor të vitit 2021 në zonën e Ungrejt në Lezhë. Ndaj tij, gjykata e Lezhës kishte caktuar në korrik 2021 masën e sigurisë "arrest më burg".
Gjergj Ndreca u arrestua më 5 korrik në hyrje të qytetit të Lezhës, teksa po udhëtonte me "Range Rover" së bashku me Ervin Ndrecën, teksa tashmë po shijon sërish lirinë.
Në gjendje të lirë po hetohet edhe i afërmi tjetër i deputetit Ndreca, Ervin Ndreca i cili po udhëtonte me të njëjtin mjet dhe akuzohet se nuk iu është përgjigjur forcave të rendit gjatë operacionit.