Seanca e parë paraprake për ish-presidentin Ilir Meta, ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi dhe tre të tjerët, do të zhvillohet më 25 shtator.
GKKO caktoi sot datën, ndërsa dosja do të shqyrtohet nga Irena Gjoka.
E akuzuar nga opozita, Gjoka ka në dorë të përcaktojë nëse do ta kalojë dosjen për gjykim, do ta kthejë sërish në SPAK ose të pushojë hetimet.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet më 29 gusht dhe çoi për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Ndaj tyre rëndojnë nga tre akuza: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim i pasurisë.
Sipas SPAK, pas hetimeve të kryera janë zbuluar disa skema korrupsioni dhe përdorimi të pushtetit politik.
Për gjykim janë dërguar edhe tre persona të tjerë.
Ndërkohë më 8 shtator, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e Ilir Metës, i cili kërkoi lirimin nga burgu.