Prokuroria e Beratit ka firmosur urdhër-arreste për tre persona, mes tyre edhe dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pasi një sasi prej 8 tonë domate të eksportuara në Kroaci rezultoi e ndotur me nivel shumë të lartë të pesticidit të ndaluar “Chlorfenapyr”.
Në hetim janë shtetasit M.Q., administrator i subjektit, si dhe inspektorët R.L. dhe G.D inspektorë të AKU. Ata akuzohen për veprën penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’, ‘Mashtrimi me produktet ushqimore’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’ si dhe për ‘shpërdorim detyre’.
Sipas Prokurorisë, autoritetet kroate konstatuan dhe asgjësuan 8 tonë domate të eksportuara nga subjekti, ku analizat treguan nivel të klorfenapirit 6 herë mbi normën e lejuar. Hetimet zbuluan se pronari M.Q. kishte lëshuar një faturë fiktive blerjeje nga një fermer i paidentifikuar, për të shmangur përgjegjësinë mbi produktin që në fakt ishte prodhuar prej tij.
Ndërkohë, dy inspektorët e AKU-së në Berat, gjatë kontrollit më 29 gusht 2025, plotësuan raportin zyrtar sikur në magazinë nuk kishte domate dhe pranuan faturën fiktive si të rregullt, pa kryer asnjë analizë.
Prokuroria ka sekuestruar dhe marrë mostra të tjera nga produktet e subjektit, përfshirë domate, speca dhe kastraveca, që dyshohet se janë të kontaminuara.