Gazetari Dritan Laci i ftuar te Breaking në Top News ka komentuar ngjarjet kriminale të ndodhura së fundmi në Shkodër.
Laci vendosi theksin tek financimi i këtyre ngjarjeve kriminale duke ngritur dyshimet për disa miliona euro, që grupet kriminale i kanë fshehur në fuçi.
Sipas gazetarit, këto para përdoren për të shpërblyer vrasësit me pagesë.
Nga ana tjetër, Laci deklaroi se ngjarjet në Shkodër kanë të bëjnë me gjakmarrjen si pasojë e kanunit, ku janë përfshirë 3 fiset kryesore Bajri, Lici dhe Bilali.
“Në gjithë këtë histori vrasjesh që kanë ndodhur së fundmi, në të gjitha kontrollet që ka ushtruar qoftë policia e Shkodrës, apo Forcat Operacionale në Shkodër, janë gjetur për shembull armë e lëndë narkotike, por nuk janë gjetur asnjëherë para. E lidh këtë sepse kam lexuar një dosje të fundit, bëhej fjalë për një ngjarje nga Shqipëria e mesme dhe të gjitha paratë fshiheshin ose groposeshin në fuçi. Pra miliona euro vendosen në fuçi për t’u fshehur. Por sot kjo dosje ekziston dhe unë nuk di që këto para të jenë gjetur. Tani po flasim për vrasës me pagesë dhe unë nuk mendoj se ata shkojnë në bankë për të marrë kredi, në mënyrë që të paguajnë këta vrasës. Pra patjetër që përdoren paratë e fuçive. Po ku janë këto fuçi? Po flasim për njerëz që kanë shumë para në dispozicion. Por mund të jetë dhe rasti me klering. Që do të thotë, për shembull, rasti i Ragip Gilës, që është një person i afërt me një nga fiset që ka interes të sulmojë Bajroviç dhe i jepet një detyrë. Kjo tashmë ngjan më shumë si një punë kanunore. Këto vrasjet që kanë ndodhur mes 3 fiseve Lici, Bajri dhe Bilali nuk ka të bëjë vetëm me drejtimi ne qytetit por me një gjakmarrje të ashpër që ka nisur dhe nuk ka fund,” tha Dritan Laci në Top News.
Kujtojmë që Shkodra ditët e fundit ka qenë “kryefjala” e krimit pasi kanë ndodhur disa atentate mafioze.
Në ndryshim nga qytete si Vlora, Elbasani, Tirana në Shkodër përplasjet mes bandave apo hakmarrja bëhet hapur në mes të ditës e në mes të qytetit.
Dy të vrarë dhe 2 të plagosur është bilanci i atentatit që trondit Shkodrën mëngjesin së hënës në një lokal pranë Bashkisë së qytetit. Shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri).
Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ndërkohë, i vdekur mbeti Armando Pali, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga.