Monika Kryemadhi i është kthyer sërish çështjes së inceneratorit të Tiranës. Deputetja e Partisë së Lirisë deklaroi sot se inceneratori i Tiranës merr 100 mijë euro/dita.
Por për hir të së vërtetës, deklarata e Kryemadhit edhe këtë herë është e pavërtetë.
Duke iu referuar pagesave nga Thesari, rezulton se pagesa më e madhe është 91 milion lekë të reja, ose rreth 790 mijë euro në muaj. Pra, me një llogari të thjeshtë, nëse e pjesëton me 30 ditë, atëherë është shifra është diku tek 26 mijë euro/dita.
Ndërkohë, edhe Kompania e Integrated Energy ka reaguar në lidhje me deklaratat e Monika Kryemadhit për venddepozitimin e mbetjeve në Sharrë. Kompania thotë se qëllimi i këtyre deklaratave është shantazhi publik për të krijuar kaos mjedisor në Tiranë.
“Ky shantazh i vazhdueshëm, i stisur me mashtrime dhe manipulime nga deputetja Kryemadhi, vijon deklarata, ka si qëllim ndërprerjen e punës për menaxhimin e mbi 800 ton mbetjeve në ditë, me qëllim krijimin e një kaosi mjedisor në qarkun e Tiranës dhe Durrësit.
Kompania i bën thirrje SPAK dhe institucioneve ligjzbatuese që të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar atë që e quan shantazh dhe përndjekje të Monika Kryemadhit dhe Partisë së Lirisë.
Në 33 vite demokraci të shtetit shqiptarë, nuk ka ndodhur kurrë që një forcë politike të përndjekë dhe të baltosë pambarimisht një vepër publike, e krahasueshme me vendet e Bashkimit Europian”, thekson ndër të tjera koncesionari.