Inceneratori i Tiranës/ Manjani: Përgjegjësi duhet të kenë zyrtarët, jo biznesmenët

23 December 2023, 15:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Inceneratori i Tiranës/ Manjani: Përgjegjësi duhet të
Ylli Manjani

Juristi Ylli Manjani, në një shënim në rrjetet sociale i rikthehet edhe njëherë debatit për inceneratorët. Ai thekson se përgjegjësia duhet kërkuar te zyrtarët dhe jo te biznesmenët.

“Ne, publiku dhe media, i kërkojmë llogari atyre që votojmë, që marrin vendime në emrin tonë dhe administrojnë paratë e pasurinë tonë, dhe jo atyre që marrim tendera”, nënvizon Manjani.

Shënimi i plotë i Manjanit:

Edhe njëherë, insistoj tek ky argument:

Përgjegjësinë për punët publike të pakryera apo të kryera keq, nuk kemi pse ta kërkojmë tek biznesi, por tek qeveria/bashkia.

Ne, publiku dhe media, i kërkojmë llogari atyre që votojmë, që marrin vendime në emrin tonë dhe administrojnë paratë e pasurinë tonë, dhe jo atyre që marrim tendera!

Konkretisht për ta ilustruar argumentin,  pyetjes përse ne paguajmë dhe nuk ka incenerator në Tiranë, duhet t'i përgjigjet bashkia e Tiranës, dmth Erion Veliaj dhe jo kompania private apo qoftë dhe Mirel Mërtiri. Bashkia është ajo që paguan për këtë shërbim dhe, është po ajo që duhet të siguroël që paratë që paguhen të shkojnë për atë shërbim. Nëse ajo paguan dhe, shërbim nuk ka, atëherë na i ka borxh paratë dhe përgjegjësinë publike.

Pala në konflikt me ne është bashkia, jo biznesi! Ky i fundit është në interes të publikut sepse kontribuon në ekonominë publike.

Madje, mbështes edhe idenë që reforma penale të fokusohet ekskluzivisht tek kjo marrëdhënie, pra tek mbajtja e përgjegjësisë ligjore tek ata që marrin vendime dhe kontrollojnë kryerjen e punëve publike dhe jo tek ata që marrin tendera. Tendermarrja nuk është krim, tendërdhënia jashtë rregullave dhe pa garë është. Njësoj, e njëjta llogjikë vlen edhe për liçensat, lejet, koncensionet.

Përgjegjësia penale duhet të jetë për zyrtarët.

Të jemi të sinqertë,nëse pushteti të jep para e punë publike, pse konsiderohesh me faj?! Po sikur të jesh ti ai që i merr ato para, pse je i pafajshëm?!

Por temë tjetër kjo. Argumentin e kam tek llogaridhënia dhe përgjegjësia për punët e paratë publike, e cila i takon vetëm qeverisë/bashkisë. Pra ata që vendosin për ne me votën tonë dhe me paratë e pasurinë tonë.

Të tjerët hyjnë kot në debat, sepse publiku nuk i voton. Askush tjetër nuk na ka borxh të na japë hesap.

I qëndroj kësaj logjike, si e vetmja për të ndarë shapin nga sheqeri në këtë kaos të madh social,politik e ligjor ku jetojmë.


Video