Ilir Meta akuzohet se ka marrë 300 mijë euro për të dekoruar ish- kreun e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepin.
Deklarata e rëndë inkriminuese është bërë në librin me kujtime të vetë Rexhepit, i cili thotë se ndërmjetës apo rolin e sekserit e ka patur gazetari i njohur Fahri Balliu.
Ai tregon me imtësi detajet se si i janë ofruar dhe për mënyrën se si duhen paguar këstet e dekoratës ndaj Fahri Balliut.
“Nëse e do nevoja Ilir Meta do të vie edhe në Shkup dhe në sy të shkijeve do të ma dorëzojë dekoratën presidenciale. Çmimi për blerjen e dekoratës tashmë ishte caktuar, fiks 300 mij euro, kurse ceremonia spektakolare që do të përgatitej me këtë rast do të kushtonte minimum edhe nja 120 mij euro!”
Në libër po ashtu tregon se si Fari Balliu ka dashur ta shmangë Ilir Metën nga kontakti direkt.
"Fahri Balliu më tërhoqi në një kënd dhe më tha që, mos të rri e mos ta takoj shum Ilir Metën, sepse, edhe ashtu është shumë i dyshimtë. Mileti do të pyesi se, çfarë i lidhë Ilir Metën me Sulejman Rexhepin? Prej kur këta dy shokë? Edhe ashtu është nën llupën amerikane si njeri më i korruptuar në vend, prandaj, gjithçka që më duhet prej tij duhet të shkojë përmes Ferdinandit dhe meje, më tha Balliu", thuhet në librin e tij.
Në libër po ashtu ka një dëshmi tjetër se si një diplomat shqiptar dhe një tjetër gazetar që ndjek aktivtetet fetare i kanë shitur një dekoratë nga ish- presidenti amerikan Donald Trump, dhe kjo për t’i rregulluar “imazhin”.
Vlen të theksohet se pas publikimit në media të pasazheve nga libri i tij, Sulejman Rexhepi ka reaguar duke i hedhur poshtë këto rrëfime, dhe duke thënë se janë shpifje të gazetës që i ka publikuar.
Reagimi i Rexhepit pas publikimit të kujtimeve të tij:
Shpifjet ordinere të publikuara nga gazeta “Tema” e Mero Bazes dhe portalet e tjera të “Rilindjes” në Shqipëri nuk kanë asnjë lidhje me emrin tim dhe me Presidentin Ilir Meta dhe as nuk janë shkruar nga unë.
Kurrë nuk kam bërë një akuzë kaq ordinere ndaj Presidentit Ilir Meta, përkundrazi u qëndroj të gjitha vlerësimeve publike që kam bërë për të, si një burrë shteti që qëllim të vetëm të angazhimit të tij politik ka patur mbrojtjen e interesit kombëtar dhe çështjes shqiptare.
I përgënjeshtroj me përbuzje shpifjet e fëlliqura të mediave të “Rilindjes” dhe u kërkoj të fshijnë urgjentisht artikujt dashakeq, në të kundërt jam i detyruar të ndjek rrugën më të ashpër ligjore ndaj tyre.
Presidenti Ilir Meta është një burrë shteti, patriot dhe mbrojtës i paepur i interesit kombëtar, mik i imi dhe i familjes time dhe që kurrë, në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment, nuk ka lidhje me akuzat politike të fabrikuara kundër tij duke keqpërdorur emrin tim.