Berisha dhe Malltezi mbeten në "arrest shtëpie", avokati Gjokutaj: Masat e pavlefshme dhe anti-kushtetuese

13 September 2024, 14:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha dhe Malltezi mbeten në "arrest shtëpie", avokati
Avokati Genc Gjokutaj

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të ish-kryeministrit Sali Berisha për ndryshimin e masës së sigurisë.

Si Berisha, dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi do të vijojnë të qëndrojnë nën masën "arrest në shtëpi". Rrëzimi i kërkesës vjen vetëm dy ditë pasi Berishës dhe Malltezit iu komunikuan nga SPAK zyrtarisht akuzat për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv "Partizani".

Avokati Genc Gjokutaj, në përfundim të seancës akuzoi institucionet e drejtësisë së re për shkelje të procedurave.

"Jemi në një situatë që ndërhë që zotit Berisha i komunikohet një akuzë, të dyja masat dhe detyrim paraqitje dhe arresti në shtëpi janë masa të pavlefshme antikushtetuese, dhe gjykatat kanë detyrimin ligjor t'i ndërpresin. Gjykata nuk i ka kërkuar prokurorisë raportin e fundit, për diligjencën. Pra kjo është një marrëveshje e hapur, vetë gjykata që ka caktuar masat nuk është e interesuar të shikojë se si vijon hetimi, sepse nuk ka përfunduar hetimi.

Ne jemi në pritje tani, sepse u bë komunikimi i akuzës por nuk jemi njohur me tërësinë e akteve. Këta thonë se bëjnë hetime sipas mënyrës së tyre, por gjithsesi duhet të kishte një raport. Këta nxitojnë se kanë frikë se u shuhet masa për shkak të afatit tërësor", u shpreh Gjokutaj.

"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 13.09.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 182 akti, datë 04.09.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, në lëndë të masave të sigurimit personal dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 400 akti, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", njoftoi GJKKO.


Video