Identifikohet dhe shoqërohet në polici 30-vjeçarja që braktisi foshnjen e porsalindur

8 Nëntor 2023, 20:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foshnja e braktisur ndodhet në gjendje kritike për jetën

Policia e Tiranës ka ndaluar nënën që braktisi foshnjen menjëherë pas lindjes në katin nëntokë të një pallati në Yzberisht.

Ajo është identifikuar si shtetasja me iniciale E.L, 30-vjeçe nga Pogradeci dhe është shoqëruar mbrëmjen e sotme në polici për veprime të mëtejshme.

"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, e cila bën fjalë për gjetjen e një foshnje të porsalindur në bodrumin e një pallati në Yzberisht, ju informojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin e një 30-vjeçareje, si autore e dyshuar e kësaj ngjarje.

Pas identifikimit dhe shoqërimit, shërbimet e Policisë e kanë dërguar 30-vjeçaren për ndihmë mjekësore në spital, dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve", njofton policia.

Lidhur me ngjarjen e rëndë reagoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, duke kërkuar që policia të identifikojë “prindërit e papërgjegjshëm” dhe t’i nxjerrë para drejtësisë.

“Prej mesditës së sotme një foshnje e braktisur në zonën e Yzberishtit në Tiranë, po lufton për jetën, ndërsa u dërgua në spital me urgjencë nga një patrullë e Policisë së Tiranës. I falenderoj mjekët e Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” për kujdesin e tyre. I kam kërkuar Policisë së Shtetit të identifikojë me patjetër prindërit e papërgjegjshëm dhe vendosjen e tyre para drejtësisë”, deklaroi Balla.

30-vjeçarja është duke u marrë në pyetje nga policia lidhur me ngjarjen ndërsa foshnja ndodhet në intubim, në gjendje kritike për jetën në Maternitetin Koço Glozheni.


Video