Nëna e shqiptarit që është vënë në pranga pasi akuzohet se ka përdhunuar një 17-vjeçare në Greqi ka mohuar të ketë pasur dijeni për ngjarjen. Madje ka dhënë një tjetër version. Në dëshminë e saj para grupit që po merret me hetimin e këtij rasti, ajo është shprehur se ishte në shtëpi në Agia Varvara, mbrëmjen e 11 prillit, kur djali erdhi bashkë me një shoqe. Ajo shton se për aq kohë sa të rinjtë qëndruan në shtëpi, dëgjoi vetëm të qeshura nga dhoma ku rrinin.
“Djali im hyri në shtëpi pak pas orës 9 të mbrëmjes dhe më tha ‘mos më shqetëso, do të jem në dhomë me një vajzë’. Nuk dëgjova zhurmë apo të bërtitura siç thonë, dëgjova vetëm të qeshura. Çfarë ndodhi më pas, ishte e papritur. Policia hyri në shtëpi të nesërmen dhe më kërkoi djalin. Fillimisht as që e kuptova që ishin policë, nuk më shkoi mendja,” ka treguar gruaja.
27-vjeçari pritet që ditën e premte të dalë në gjykatë nën akuzën për përdhunim të nxënëses 17-vjeçare. Autoritetet pohojnë se mbështeten vetëm tek pretendimet e vajzës, në akuzën e ngritur ndaj të riut shqiptar që shtirej si pakistanez në rrjetet sociale. E mitura është shprehur se shqiptari ka ngritur zërin e televizorit që të mos dëgjoheshin zhurma dhe se e ka përdhunuar në shtëpinë e tij.