Hetimet ndaj grupit të Mir Pepës për 7 tonë kokainë/ Mariela Berisha thirret në SPAK!

2 June 2026, 12:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hetimet ndaj grupit të Mir Pepës për 7 tonë kokainë/
FOTO: Mariela Berisha

Mariela Berisha është paraqitur në SPAK këtë të martë, 2 qershor, e cila është në listën e personave të thirrur për procedimin ndaj grupit kriminal të Jetmir Pepës.

Grupi kriminal i drejtuar nga Jetmir Pepa është një organizatë e fuqishme e goditur nga SPAK, pasi dyshohet se ka trafikuar mbi 7 tonë kokainë. Hetimet kanë çuar në sekuestrimin e një perandorie biznesi dhe mbi 230 pasurive me vlerë 12 milionë euro.

Organizata dyshohet se ka vepruar gjatë viteve 2019–2021 dhe përbëhej nga një rrjet i shtrirë nga vendet e Amerikës Latine deri në shtetet e Europës, si Belgjika dhe Holanda. Sipas dosjeve hetimore, janë dokumentuar të paktën tetë episode të trafikut të sasive të mëdha të kokainës.

Ndërkohë SPAK lëshoi 11 masa sigurie ndaj anëtarëve të dyshuar. Të dyshuarit kryesorë të identifikuar janë:

Aleks Pepaj (alias Shkëlqim Pepaj)

Jetmir Pepaj (alias Jetmir Marashi)

Albert Pjetri, Fatjon Marku, Anton Marku, Florjan Vuka, Kristjan Lleshi, Klevi Leka, Lulzim Pepa, Anton Kola dhe Ilir Lazri.

Prokuroria e Posaçme zbuloi se vëllezërit Pepa kishin ngritur një perandori përmes kompanisë ndërtuese “Pepa Group”, e cila ishte përfshirë në ndërtimin e shkollave, koncesionet e HEC-eve dhe përfitimin e fondeve publike.

Në kuadër të hetimeve, janë vendosur nën sekuestro preventive më shumë se 230 pasuri të luajtshme e të paluajtshme, duke përfshirë kuota në shtatë shoqëri me seli në Tiranë.


Video