Hakmarrja e “Fshatrave të kanabisit” ndaj policëve të Shkodrës!

19 Qershor 2024, 13:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Një sasi lënde plasëse i është vendosur makinës së policit të Rrugores, Kastriot Selimaj. Makina ka qenë e parkuar në oborrin e banesës së efektivit në lagjen "Tepe" të Shkodrës, kur dy persona vendosin tritolin.

Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme, dy persona të maskuar me pelerina futen në rrugicën e tij.

Më pas, hipin mbi murin rrethues të banesës dhe vendosin lëndën plasëse.  Megjithatë deri më tani të dy personat nuk janë identifikuar. Vetë Kastriot Selimaj, është efektiv i policisë rrugore në Shkodër, ka deklaruar se nuk ka probleme me njeri, por se dyshon që tritoli i është vendosur për shkak të punës.

Goditja e Lazaratit në vitin 2014 hapi rrugë për fshatra të rinj për kultivimin e kanabisit në Shkodër, kryesisht Pulti, Shala dhe Shoshi. Në kohën kur krimi po shfaqej frikshëm atje, me përplasje bandash kriminale, që përgjithësisht në Shkodër quhen familje kriminale, me shpërthime eksplozivi e atentate tipike mafioze, përgjegjësia binte mbi Policinë.

Efektivët e qytetit verior ishin në vështirësi po të mos raportonin rastet e kultivimit të kanabisit, pezulloheshin e madje edhe arrestoheshin, ndërsa kur i raportonin pasojat ishin edhe më të rënda. Hakmarrja në këtë rast u vinte nga krimi, duke u kthyer automatikisht në objekt sulmesh me armë, me eksploziv apo edhe zjarrvëniesh.

Sulmet ndaj policëve nga të “fortët” e Shkodrës, nuk lidhen vetëm me kanabisin, herë pas here vendosin të sfidojnë Policinë për të treguar se janë të paprekshëm.

13 MARS 2024- Qëllohet drejt vëllait të drejtorit të DRSHTRR e kunatit dronist i policisë

Gjergj Ndershtiqaj 28 vjeç dhe kunati i tij, Gjin Nika, 30 vjeç, kanë mbetur të plagosur rëndë në një atentat në Grudë të Re në Shkodër. 80 plumba janë zbrazur drejt makinës së tyre, e cila është djegur bashkë me mjetin e autorëve. Gjergj Ndershtiqaj student në Akademinë e Sigurisë është vëllai i Marjan Ndershtiqaj drejtor i DRSHTRR në Shkodër.

13 JANAR 2023- Eksploziv në derën e shtëpisë së shefit të Krimeve Pëllumb Shpati

Më 13 janar të vitit 2023, në lagjen Dobraç të Shkodrës ndodhi një shpërthim i fuqishëm eksplozivi. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, para derës së shtëpisë së shefit të Krimeve të Shkodrës, Pëllumb Shpati. Ai vetë tha se nuk kishte konflikte me askënd, ndërsa i ati e lidhi ngjarjen me detyrën e tij si shef krimesh.

2 QERSHOR 2022- Tritol shtëpisë së oficerit Pëllumb Vukaj

Rreth orës 2 e 25 pas mesnate të datës 2 qershor 2022, shtëpisë së oficerit të Policisë së Shkodrës Pëllumb Vukaj, i vendosin një sasi eksplozivi. Ngjarja ndodhi në fshatin Hot i Ri. Sipas asaj që raportonte Policia në atë kohë, tritoli ishte vendosur në murin e banesës dhe si pasojë e shpërthimit kishte vetëm dëme materiale. Po ashtu ishte dëmtuar edhe një makinë tip “Benz” që ishte parkuar para banesës së policit. Pëllumb Vukaj në atë kohë kishte detyrën e oficerit të krimeve në Komisariatin e Policisë së Shkodrës.

Në momentin e shpërthimit ai ka qenë në shtëpi së bashku me familjen e tij. Pista kryesore e hetimeve ishte ajo e një sulmi për shkak të detyrës. Në dëshminë e parë të dhënë para kolegëve, Vukaj ka deklaruar se nuk kishte konflikte me persona të tjerë. Pëllumb Vukaj, gjatë operacionit “Dukagjini” që u zhvillua në vitin 2018, së bashku me kolegë të tjerë të policisë, asgjësuan mbi 150 mijë rrënjë kanabis dhe çuan në arrestimin e 90 personave, mes tyre punonjës të policisë, 4 kryepleq fshatrash që ishin natyralizuar në kultivues dhe trafikantë të tjerë të zonës.

27 PRILL 2022- Digjet makina e efektivit Dritan Turhani

Automjeti i efektivit të Forcave Operacionale të Shkodrës, Dritan Turhani është shkrumbuar gjatë natës së 27 prillit pranë banesës së tij në lagjen “Perash” të Shkodrës. Hetuesit patën dyshime se bëhej fjalë për një djegie të qëllimshme, pasi u konstatuan mbetje të lëndëve djegëse. Oficeri i policisë e kishte parkuar automjetin pranë banesës së tij dhe sapo ka parë që makina e tij është përfshirë nga flakët ka lajmëruar në sallën operative. Provat i orientuan hetuesit drejt një ngjarjeje të qëllimshme. Vetë oficeri Dritan Turhani është shprehur se nuk ka pasur konflikte dhe se shkak i zjarrit mund të ketë qenë vetëm puna e tij, pasi kohët e fundit ka qenë pas ndjekjes së personave të shpallur në kërkim, si dhe në kontrolle të territorit për kultivimin e lëndëve narkotike.

14 MAJ 2022- Digjet makina e efektivit Sokol Kroni

Në orët e para të mëngjesit të 14 Majit të vitit 2022, në lagjen “Tre Heronjtë” të Shkodrës i është vënë flaka makinës në pronësi të Sokol Kronit, punonjës i policisë në Drejtorinë Vendore të Shkodrës. Një person i maskuar është fiksuar nga kamerat e sigurisë duke i hedhur benzinë automjetit tip “Mitsubishi” i parkuar pranë banesës së 54-vjeçarit Kroni. Personi pasi i vë flakën largohet me shpejtësi.

Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg shtëpisë së policit Sokol Kroni. Ai kishte parkuar automjetin e tij, si çdo natë tjetër, teksa rreth orës 4 të mëngjesit ka vënë re zjarrin. Mbërritja e zjarrfikëses ka bërë të mundur shuarjen e flakëve por makina është djegur pjesërisht. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur një djalë i ri, më kapuç, afrohet pranë automjetit, e spërkat me lëndë djegëse dhe i vendos flakën. Zjarri ka rrezikuar edhe autorin, i cili ka shpëtuar mrekullisht pa u përfshirë edhe vetë nga flakët. Me pas, autori është larguar me shpejtësi nëpër rrugicat e lagjes. I pyetur nga kolegët e tij dhe prokurori i gatshëm, oficeri i policisë, Sokol Kroni ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri. Në kohën kur ndodhi ngjarja ai mbante detyrën e inspektorit të zonës në pikën turistike të Thethit. Dyshimet e para lidheshin me detyrën e tij, kryesisht aksionet dhe kontrollet në zonë për kultivimin e kanabisit.

20 MAJ 2022- Tritol në lokalin e efektivit Ndrek Rrasa

Në orët e para të mëngjesit të 20 majit të vitit 2022, një shpërthim eksplozivi ndodh në lokalin e oficerit të policisë Ndrek Rrasa në Shkodër. Kamerat e sigurisë kishin fiksuar një person të maskuar si femër, me paruke me flokë të gjata në kokë dhe të veshur me një fustan, që ndizte fitilin e pakos me tritol që kishte vendosur në lokalit në pronësi të oficerit të Policisë në Grudë të Shkodrës dhe më pas të njëjtin veprim kryen duke i vendosur lëndën plasëse poshtë automjetit të tij.

Gjithçka ndodhi për 20 sekonda, rreth orës 2 e 30 minuta, ku autori nëse nuk do të vraponte mund të rrezikonte edhe veten. Policia e Shkodrës njoftonte se nga shpërthimi kishte vetëm dëme materiale në lokal, ndërsa ishte djegur plotësisht automjeti në pronësi të 46-vjeçarit Rrasa. Ai ishte oficer i Policisë së Shkodrës pranë sektorit të Patrullës së Përgjithshme dhe gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se nuk kishte asnjë konflikt me persona të tjerë. Dyshimet e para nga grupit hetimor ishin se ngjarja mund të kishte ndodhur për shkak të detyrës.

30 DHJETOR 2022- Tritol banesës së efektivit Valter Serra

Më 30 dhjetor të vitit 2022 i vihet tritol banesës së efektivit të policisë së Shkodrës, Valter Serra. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Bardhaj. Autorët e kanë hedhur lëndën plasëse brenda oborrit nga një makinë në lëvizje. Valter Serra ishte me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër. Si pasojë e shpërthimit u dëmtua automjeti tip “Volksëagen” në pronësi të punonjësit të Policisë dhe u shkaktuan dëmtime të lehta në banesën e tij. Grupi hetimor e lidhi këtë ngjarje me detyrën e Serrës, pa çka se nuk pati ndonjë të dyshuar konkret. Në banesën ku ndodhi shpërthimi nuk ka pasur kamera sigurie por Policia sekuestroi kamerat e sigurisë në kryqëzime të ndryshme për të arritur në identifikimin e autoreve dhe me pas gjetjen e kapjen e tyre. Efektivi Serra punonte prej afro 3 vitesh në Policinë Vendore të Shkodrës duke shërbyer në Patrullën e Përgjithshme. Pas ngjarje efektivi ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me persona të ndryshëm apo ndonjë kërcenim të mëparshëm.

22 DHJETOR 2020- Sulmohet me armë lokali i efektivit Albert Pjetri në Dobraç

Rreth orës 21:00 të datës 22 dhjetor 2020, në vendin e njohur si “Zona e Pompave”, në afërsi të rrethrrotullimit të “5 heronjve”, në fshatin Dobraç, sulmohet me armë zjarri një lokal. Breshëria e plumbave fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale dhe nuk pati të plagosur. Por ngjarja mori përmasa më të mëdha pasi lokali ishte në pronësi të një efektivi Policie. Bëhej fjalë për efektivin e forcave “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, Albert Pjetri. Në vendin e ngjarjes shkua efektivët e Policisë, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa u ngritën pika kontrolli në të gjithë zonën për të bërë të mundur ndalimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, por më kot. Pas ngjarjes, efektivi Albert Pjetri bashkë me vëllezërit e tij u shoqëruan në Polici, ku edhe dëshmuan rreth ngjarjes së ndodhur. Njëri nga vëllezërit e pronarit të lokalit, Vlash Pjetri, ish-administrator i Njësisë Rrethina tregoi se asnjë nga vëllezërit nuk kanë qënë në lokal në momentin e sulmit.

4 JANAR 2020- Eksploziv në banesën e komandantit të Postës së Thethit Prelë Milani

Një sasi eksplozivi shpërtheu në orët e vona të natës së 4 janarit të vitit 2020, në shtëpinë e oficerit Prelë Milani, me detyrë shef stacioni i Policisë në Theth. Sulmi me tritol ndaj Milanit u dyshua se kishte lidhje me detyrën e tij. Sasia e eksplozivit ishte vendosur në pjesën e pasme të oborrit të shtëpisë pranë një magazine, në të cilën ai mbante veglat e punës, rreth 15 metra larg shtëpisë. Oficeri i Policisë Prelë Milani në momentin që ka dalë nga shtëpia dhe i është drejtuar Komisariatit të Policisë për të marrë shërbimin si oficer i gatshëm, ka dëgjuar fillimisht një shpërthim por pa i kushtuar rëndësi.

Më pas kanë qenë familjarët ata që kanë kontrolluar shtëpinë dhe oborrin përreth kur kanë konstatuar derën e magazinës të dëmtuar dhe një gropë me një diametër rreth 30 cm në beton. Pas verifikimeve dhe deklarimeve, Policia e Shkodrës arriti në përfundimin se vendosja e tritolit kishte lidhje me detyrën e Milanit si shef i Postës në Theth, si dhe për shkak të operacioneve të kryera në zonën e Dukagjinit në luftë kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Hetimet e dosjes “Metamorfoza” kulmuan pas përcjelljes së letërporosisë nga autoritetet franceze, ku rezultoi se në dhjetra biseda, Bajri komunikonte me të zhdukurin me Ervis Martinaj për vrasjen e Gjon Boriçit.

Kjo dosje është veçuar nga ana e SPAK, sa kohë që Martinaj prej afro dy vitesh rezulton një person I zhdukur.

 Në përgjime rezultonte gjithashtu se Martinaj garantonte se do të eliminonte Kleanth Musabelliun për interes të Pëllumb Gjokës. 

Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Astmer Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan dhe lidhjet me policinë./VoxNews


Video