Goditje grupeve kriminale globale, Rrumbullaku takon drejtorin e anti-drogës në Indonezi

23 August 2023, 18:18Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Goditje grupeve kriminale globale, Rrumbullaku takon drejtorin e
Muhamet Rrumbullaku dhe Petrus R.Golose

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe drejtues të tjerë të lartë në Drejtorinë e Përgjithshme, mirëpritën sot një delegacion me përfaqësues nga Bordi Kombëtar kundër Narkotikëve i Indonezisë dhe nga Ambasada e Indonezisë.

Siç bën me dije Policia e Shtetit, vizita synon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet dy agjencive, ura të cilat do të shërbejnë për të goditur grupet kriminale me shtrirje të gjerë botërore, që merren me trafikimin e lëndëve narkotike.

Bashkëpunimi u dakordësua të zhvillohet përmes krijimit dhe konsolidimit të kanaleve për shkëmbimin e informacioneve, si dhe përmes aplikimit të modeleve më të mira që ndjekin këto polici, në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe kryetari i delegacionit, Drejtuesi i Bordit Kombëtar kundër Narkotikëve i Republikës së Indonezisë Petrus R.Golose, shprehën gatishmërinë e 2 organizatave për të bashkëvepruar për betejat e përbashkëta, për të finalizuar operacione me impakt global, si dhe për të garantuar siguri publike për qytetarët e të dy vendeve.


Video