Saimir Kuçi është 37-vjeçari që i dha fund jetës pasditen e djeshme duke u vetëvarur në banesë. Kuçi ishte një nga autorët e dyshuar që grabitën me dhunë biznesmenin Nazmi Çangu, në Fushë Krujë në nëntor të 2019. Gjykata e Apelit vendosi masën në dhjetor të 2021 “arrest shtëpie”, shkruan “Ora news”.
Kuçi vuante nga sëmundje nervore dhe dyshohet se ka qenë kjo që e ka çuar në vetëflijim.
Kush është Saimir Kuçi, pjesë e grupit të grabitësve “Hijet e Natës”
Operacioni “Forca e Ligjit” ka goditur në Qershor 2018 një grup kriminal që grabiste kasafortat e bizneseve në kryeqytet dhe disa qytete. Në pranga kanë rënë pesë persona, mes tyre një ish-oficer policie, dhe Gjon Pelivani i njohur si armik i Shullazit, të gjithë të dënuar më parë për vjedhje. Ish-oficeri është Engrid Hënaj, i arrestuar më parë, pasi komunikonte me një person të shpallur në kërkim për vjedhjen e një makine.
Të arrestuarit, sipas policisë lëviznin orët e vona të natës të armatosur, përdornin automjete të vjedhura dhe të marra me qira duke u ndihmuar dhe nga persona të tjerë. Ata kanë kryer 11 grabitje në Tiranë, Durrës, Kavajë, Laç, Lezhë dhe Berat nën kërcënimin e armëve.
Ndërkohë që janë sekuestruar automjete, armë zjarri, lëndë narkotike, veshje, portofola me stemë policie e pajisje të tjera të përdorura për realizimin e vjedhjeve. Grabitjet kanë nisur nga prilli i 2017 deri në qershor 2018, kur janë realizuar tre të tilla, nga 11 në total.