Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme, si çdo të dielë prej shtatë muajsh. Ata protestojnë për projektin e rrugës Thumanë-Kashar, pasi pretendojnë se pronat e tyre që preken nga autostrada nuk po kompensohen siç duhet.
Jo vetëm me kompensimet, por në një prononcim për mediat, protestuesit shprehen se rruga e nxjerr tërësisht janë funksionit fshatin pasi nuk jep asnjë zgjidhje për banorët.
“Rruga e nxjerr fshatin jashtë funksionit. Duhet të bëjmë 10-15 km për të ardhur në banesat tona. Të jesh mirë e bukur në shtëpinë tënde në rrugë që janë prej kohës, ekzistuese.
Sot i shkatërrojnë pa dhënë asnjë lloj zgjidhje për fshatin si do të jetë e aksesueshme edhe brenda fshatit. Nuk ka as nënkalime, as mbikalime dhe as rrugë dytësore. Ty të bën që me këtë projekt të fluturosh në hënë. Sot nuk dimë ku të shkojmë. Nuk na japin asnjë lloj zgjidhje.
Thonë këtë situatë po e studiojmë dhe po e shohim edhe njëherë në studiot tona si do zhvillohet. Këtu bëhet një maskaradë në këtë njësi administrative. Ata që janë ngarkuar për t’i dhënë zgjidhje, nuk i dalin llogaritë. Distanca 100 metra me ne, është rruga e aeroportit”, shprehen ata.
Një prej banorëve ka folur dhe për procedurën e ndjekur për shpronësimet nga ana e qeverisë. Ai u shpreh se vetë ministrja Belinda Balluku ka deklaruar se shteti nuk investon asnjë qindarkë për të bërë këtë rrugë, ndërsa ngriti pyetjen pse përfshihen në shpronësime duke mos e marrë tokën me vlerën e tregut.
“Jemi ankuar në të gjitha institucionet, nga kryeministria në institucionet më pas dhe në ambasada. Vetëm në Hipotekë kemi diskutuar me drejtorin. Ne kemi kërkuar shpronësimin e pronës me vlerë tregu apo me marrëveshje. Avokati i Popullit është një nga institucionet që nuk e ka vendosur ujin në zjarr. I vetmi institucion që nuk ka dhënë përgjigje.
I jam drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe më ka thënë që firma nuk ka bërë kërkesë për leje. KKT më ka thënë të njëjtën gjë. Me datë 14 Dhjetor i kanë dhënë leje zhvillimore dhe me datë 8 Mars ka marrë leje ndërtimi. Por edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë leje për zhvillimin e projektit. Avokatët na kanë shpjeguar procedurën që duhet të ndjekim.
Projekt rruge nuk ka as sot e kësaj dite. Që ditët e para kemi kontaktuar me avokatë dhe para dy ditësh, nga një vendim i gjykatës së Apelit toka duhet të shpronësohet me vlerën e tregut.
Fshati duhet të bojkotojë zgjedhjet. Shteti ka 8 muaj që hesht dhe nuk na jep zgjidhje, atëherë dhe ne nuk duhet të marrim pjesë në votime sepse shteti nuk na njeh. Unë e kam takuar kandidatin e opozitës si dhe kryebashkiakun aktual të zonës, por këtu nuk është pyetur bashkia por ka hyrë ministria e infrastrukturës vetë. Kontrata e parë ka qenë me privat dhe e dyta me koncesionarin. Balluku ka thënë se shteti nuk investon asnjë qindarkë për këtë rrugë, por e merr pas 35 vitesh, atëherë pse shteti merr pjesë në shpronësime”, u shpreh një prej banorëve.