“Gërdeci”/ Shtyhet seanca për Fatmir Mediun, shkak mungesa e prokurorëve

8 March 2023, 13:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Gërdeci”/ Shtyhet seanca për Fatmir Mediun, shkak mungesa
Fatmir Mediu

Seanca ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu është shtyrë për në datën 23 mars, në orën 14:00.

Shkak për këtë është bërë mungesa e disa prokurorëve.

Kjo seancë pritej të zhvillohej në orë 13:00 të ditës së sotme në GJKKO.

SPAK kërkon që Mediu të gjykohet për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak.

Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.

 

 


Video