Këshilli i Bashkimit Europian ka reaguar për Top News në lidhje me ecurinë e punimeve në grupin e punës COELA për raportin IBAR, duke dhënë detaje mbi fazën aktuale të procesit dhe temat kryesore të trajtuara.
Sipas përgjigjes zyrtare, takimi i fundit i COELA-s është fokusuar kryesisht në pyetjet e shteteve anëtare drejtuar Komisioni Europian, si dhe në sqarimet lidhur me raportin IBAR për Cluster 1 dhe draftin e ashtuquajtur “interim Common Position” (EUCP).
Në qendër të diskutimeve kanë qenë çështje kyçe si situata e shtetit të së drejtës dhe përpjekjet e vendit në luftën kundër korrupsionit.
Sa i përket fazës aktuale, burimet nga Këshilli bëjnë me dije se, bazuar në komentet dhe diskutimet e shteteve anëtare, presidenca pritet të përgatisë një version të rishikuar të draftit interim EUCP.
Ky dokument do të diskutohet në mbledhjen e radhës të COELA-s më 9 prill, ndërsa nuk përjashtohen edhe raunde të tjera diskutimi në vijim.
Megjithatë, Këshilli i BE-së refuzon të bëjë publike qëndrimet individuale të shteteve anëtare. Sipas përgjigjes zyrtare, kjo është një praktikë standarde për të ruajtur konfidencialitetin e diskutimeve dhe për të mos penguar procesin vendimmarrës brenda organeve përgatitore të Këshillit, një rregull që zbatohet për të gjitha grupet e punës, përfshirë edhe COELA-n.