Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të martë, 7 prill 2026, përballja e kërkuar nga prokuroria mes dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej, në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Seanca u fokusua në rrethanat e vrasjes së Bujar Çelës, ku të dy të pandehurit u vunë përballë njëri-tjetrit, jashtë kafazit të sigurisë, për shkak të statusit të tyre si bashkëpunëtorë të drejtësisë.
Gjatë seancës u krahasuan deklarimet e dhëna më 16 janar 2025, lidhur me organizimin dhe ekzekutimin e atentatit ndaj Bujar Çelës, vëllai i Talo Çelës. Gjykata lexoi gjithashtu pjesë nga procesverbalet e mëparshme të dëshmisë së Dumanit.
Nuredin Dumani ripërsëriti dhe konfirmoi deklarimet e tij për mënyrën e sigurimit të informacionit dhe ekzekutimin e atentatit.
“Informacionet e Bujarit i kisha marrë nga Elio Bitri. Gjatë atentatit i gjuajti me ‘Scorpion’ Bujarit. Pashë që ishte gjallë dhe i thashë bjeri në kokë, dhe i ra dy herë”, ka deklaruar më herët Dumani, dëshmi që ai e konfirmoi edhe gjatë seancës së sotme.
Nga ana tjetër, Erjon Alibej konfirmoi gjithashtu versionin e tij, duke theksuar se vrasja ishte planifikuar në bashkëpunim dhe duke përshkruar fazat e organizimit të saj.
“Së pari u angazhua Henrik Hoxha dhe Skerdi Tasi. Me ta është marrë Nuredini”, u shpreh Alibej, duke shtuar se këta persona më pas janë tërhequr nga plani.
Ai shtoi se kishte angazhuar edhe Xhulian Hoxhën për të ndjekur lëvizjet e viktimës dhe për të siguruar informacione, duke sqaruar se ai nuk kishte dijeni për planin e vrasjes dhe nuk ishte paguar pasi kishte përfunduar në burg.
Për këtë dëshmi reagoi edhe avokati i Xhulian Hoxhës, i cili deklaroi se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.
Gjatë gjithë seancës, sipas procesit gjyqësor, nuk pati kundërshti mes dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët qëndruan në të njëjtin qëndrim për deklarimet e tyre të mëparshme.
Vrasja e Bujar Çelës ka ndodhur më 17 shtator 2020 në fshatin Bradashesh, ku ai u qëllua me armë zjarri teksa ndodhej në një lokal. Autorët më pas u larguan me dy automjete, ndërsa hetimet zbuluan më vonë përfshirjen e disa personave përmes provave materiale dhe dëshmive të të penduarve.
Gjatë seancës në GJKKO për dosjen “Plumbi i Artë”, u zhvillua një ballafaqim mes të penduarit të drejtësisë Henrik Hoxhaj dhe bashkëpunëtorit tjetër të drejtësisë Skerdi Tase, të cilët dhanë dëshmi mbi disa ngjarje kriminale, përfshirë edhe atentatin ndaj Agim Boriçit. Të dy përshkruan rrethanat e sulmit, duke e lidhur atë me konflikte të mëhershme dhe mënyrën e organizimit të atentatit në vitin 2018, i cili mbeti në tentativë pasi nuk pati viktima.
Gjatë pyetjeve të prokurorisë, Hoxhaj foli edhe për origjinën e konfliktit me familjen Boriçi, duke pretenduar se përplasja kishte nisur më herët dhe kishte karakter personal.
“Më kanë plagosur në 2004. Më dolën dy veta para dhe më krijuan një debat kot… më vonë mora vesh që ishte nga fisi Boriçi”, u shpreh Henrik Hoxhaj.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Behar Dibra, u shpreh se ky ballafaqim nuk solli rezultatet e pritshme, duke theksuar se pyetjet nuk u lejuan të zhvillohen plotësisht.
“Ky ballafaqim nuk solli asnjë dobi, asnjë të re. Këto që thanë mund të ishin përftuar në formë tjetër. Vetëm ballafaqim nuk ishte”, u shpreh prokurori Dibra.
“Plumbi i Artë” është një nga hetimet më të mëdha të Prokurorisë së Posaçme, i fokusuar në zbardhjen e një sërë ngjarjesh të rënda kriminale të ndodhura në Shqipëri ndër vite, kryesisht në Elbasan dhe zona të tjera.
Hetimi u mbështet në dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej, të cilët pranuan përfshirjen e tyre në ngjarje kriminale dhe zbuluan detaje mbi organizimin e atentateve, ekzekutimet dhe konfliktet mes grupeve rivale.
Në kuadër të këtij operacioni janë dokumentuar disa vrasje dhe tentativa vrasjesh, si dhe janë identifikuar persona të përfshirë në planifikimin, ndjekjen dhe ekzekutimin e tyre. Një pjesë e madhe e provave janë siguruar përmes dëshmive të të penduarve, të cilat më pas janë verifikuar me prova materiale dhe hetime operative.
Dosja ka zbardhur gjithashtu zinxhirin e hakmarrjeve mes grupeve kriminale, ku ngjarje të ndryshme lidhen me njëra-tjetrën në një konflikt të gjatë mes palëve.
“Plumbi i Artë” konsiderohet si një nga hetimet më voluminoze të SPAK, pasi ka sjellë në gjykatë dëshmi të drejtpërdrejta nga persona të përfshirë në krime të rënda dhe ka ndihmuar në zbardhjen e disa prej atentateve më të bujshme të viteve të fundit./shtet.org