Janë zbardhur detaje të reja nga vdekja e 30-vjeçares Mimoza Veizaj, e cila ndërroi jetë në maternitetin “Koço Gliozheni” disa ditë pasi lindi një foshnjë rreth 5 kg.
Burime bëjnë me dije se e reja kishte mpirje të këmbës dhe dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë tromboemboli pulmonare e shoqëruar me arrest kardiak.
Viktima ishte me origjinë nga Ballshi, por që kishin tre vite që jetonin në Tiranë në një banesë me qira. Në foton e mësipërme janë pamjet ku shihen familjarët e së resë, të cilët të pikëlluar marrin trupin e pajetë për ta çuar me makinë nga morgu, drejt banesës së saj.
Familjarët kanë akuzuar mjekët për neglizhencë. Mësohet se vëllai i 30-vjeçares ka thyer xhamin e maternitetit, në momentin kur ajo ka ndërruar jetë.
Mimoza Veizaj ka lindur më 28 janar në mënyrë natyrale një foshnjë rreth 5 kg dhe pasi ka qendruar rreth 48 orë në spital, është larguar për në banesën e saj në gjendje të stabilizuar shëndetësore. Por, disa ditë pas lindjes Mimoza Veizaj është paraqitur sërish në spital me dobësi trupore dhe është shtruar në repartin e terapisë intensive, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Familjarët kanë pranuar se 30-vjeçarja ka pasur dhimbje brinjësh dhe këmbësh. Priten rezultatet e Mjekësisë Ligjore për të mësuar shkakun e humbjes së jetës së pacientes.