Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dënuar këngëtarin Luiz Ejlli me një vit burg nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Mësohet se Ejlli ka ankimuar vendimin dhe tashmë çështja e tij është regjistruar pranë Gjykatës së Apelit me juridiksion të përgjithshëm. Seanca e shqyrtimit është caktuar për datën 29 prill.
Në këtë çështje është i përfshirë edhe shtetasi Fatmir Avdurramani, i cili është dënuar me 18 muaj burg nga gjykata.
Sipas Prokurorisë, Luiz Ejlli, në cilësinë e noterit, ka falsifikuar një deklaratë noteriale, e cila më pas është përdorur nga Fatmir Avdurramani në Prokurori për të justifikuar burimin e krijimit të pasurive të tij, të sekuestruara në kuadër të hetimeve të procedimit pasuror nr. 3 të vitit 2021.
Hetimet kanë zbuluar se deklarata e hartuar nga Ejlli ishte falsifikuar në përmbajtje, por mbante nënshkrimin e tij.
Po ashtu, u provua se me të njëjtën datë, numër repertori dhe koleksioni, në regjistrin e ish-noterit Luiz Ejlli dhe në arkivën e akteve noteriale të vitit 2015, ekziston një deklaratë tjetër noteriale me palë të ndryshme.