Eurokomisionerja Marta Kos takim me krerët e drejtësisë në Shqipëri: Mbështesim fuqishëm SPAK-un

13 Mars 2025, 21:45Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Marta Kos takim me krerët e drejtësisë në Shqipëri

Pas takimeve me drejtuesit e politikës, komisionerja për Zgjerim në Bashkimin Europian, Marta Kos, mbrëmjen e së enjtes është takuar në Tiranë dhe me krerët e drejtësisë së re.

Në një tryezë ku ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi, kryeprokurori Olsian Çela dhe kreu i ILD Artur Metani, zyrtarja e lartë e unionit shprehu edhe njëherë mbështetjen e fuqishme të BE për këto institucione.

“Takim shumë i mirë me institucionet e pavarura të drejtësisë, të cilat mundësojnë një Shqipëri dhe një Europë të sigurt dhe të mbrojtur.

Vlerësova angazhimin e tyre për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe shpreha mbështetje të fuqishme nga BE-ja për rolin dhe metodat e punës së tyre, veçanërisht për SPAK

Është e rëndësishme të angazhohemi në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe funksional, por edhe më shumë të rrënjosim respektin e shtetit të së drejtës”, shkruan Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos në platformën X.

Javët e fundit kreu delegacionit të BE në Tiranë Silvio Gonzato ka qenë në zë i fortë në mbështetje të pavarësisë të organeve të drejtësisë duke kundërshtuar sulmet ndaj SPAK dhe ato ndaj kreut të prokurorisë së posaçme Altin Dumani.

 

Video