
Kryeministri, Edi Rama përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me tunelin e Murrizit, i cili do të inaugurohet ditën e nesërme.
Rama thekson se Dita e Verës mbërrin nesër në Dibër dhe ky qytet shprehet kryeministri do të bëhet “lagja e gjelbër e Tiranës”.
“Gati, nesër Dita e Verës shkon edhe në Dibër dhe Dibra bohet iher e mir lagja e gjelbërt e Tironës”, shkruan Rama.
Ndërkohë, edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi sot Tunelin e Murrizit, një vepër komplekse dhe sfiduese.
Nga Tuneli i Murrizit, Balluku informoi se ai do të hapet nesër për qarkullim, duke shënuar kështu edhe përfundimin e Rrugës së Arbrit, të cilën Balluku e quajti rruga e të gjithë shqiptarëve.
“Vite e muaj punë e palodhur në një vepër sfiduese infrastrukturore e cila padyshim është edhe vepra infrastrukturore më e madhe e verilindjes”, tha ajo.
Hapja e tunelit të Murrizit e bën të aksesueshme edhe të gjithë rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme, e cila do të shënojë rritje ekonomike të zonës dhe të sektorit turistik, tashmë për Veriun.