Atentatet e grupeve kriminale/ Rrumbullaku i shkon në zyrë drejtorit të Policisë së Tiranës, zbardhen detajet nga diskutimi

3 April 2023, 10:59Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Atentatet e grupeve kriminale/ Rrumbullaku i shkon në zyrë drejtorit
Muhamet Rrumbullaku

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i ka shkuar në zyrë paraditen e kësaj të hëne drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

Burime bëjnë me dije se në fokus të diskutimit janë ngjarjet e fundit kriminale të pazbardhura në kryeqytet. Mes Rrumbullakut dhe Vocajt po diskutohet mbi ecurinë e hetimeve, ku dyshohet se pas atyre atentave qëndrojnë grupe kriminale me ndikim të lartë.

Mësohet se në takim janë edhe ekspertët e krimeve që po punojnë për zbardhjen e tyre. Dy prej atentateve që kanë tronditur kryeqytetit janë ngjarja e Don Boskos dhe breshëria e kallashnikovit ndaj godinës së Top Channel, ku në të dyja ngjarjet humbën jetën dy viktima të pafajshme si banakierja Mimoza Paja dhe roja i sigurisë Pal Kola.

Gjithashtu, mësohet se në takimin mes Rrumbullakut dhe Vocajt është duke u diskutuar edhe struktura e re e Policisë së Shtetit, e cila mësohet se ka marrë miratimin nga Ministria e Brendshme dhe pritet që shumë shpejt të hyjë në fuqi. Pjesë e rëndësishme të kësaj strukture janë ngritja e departamenteve të reja që do të luftojnë krimin e organizuar dhe jo vetëm.


Video