Policia e Shkodrës ka finalizuar një tjetër operacion antidrogë në zonën e malësisë, duke kapur në flagrancë një 62-vjeçar, njëkohësisht punonjës i Pyjores, që ishte i maskuar për të mos u identifikuar dhe po kujdesej për bimët narkotike të mbjella në parcelë.
Gjatë aksionit të koduar “Koordinata” u zbuluan nga droni i Policisë 98 bimë narkotike në fshatin Vig të Vaut të Dejës.
Në pranga u vendos Zef Lazri, banues në këtë fshat.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën në flagrancë dhe arrestuan shtetasin Z. L., 62 vjeç, banues në fshatin Vig”, njoftoi policia.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive, dyshohet se Lazri, punonjës i sektorit pyjor Vig, ka kultivuar 98 bimë narkotike, në një parcelë publike.
Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.
“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.