EMRI/ I dogji makinat xhaxhait, 30-vjeçari është djali i Lirie Xhepës që u vra nga kunati!

17 Mars 2025, 14:32Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dashamir Xhepa

Zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjen ku Marius Xhepa i dogji makinat xhaxhait të tij.

Marius Xhepa është djali i Lirie Xhepës, që u vra nga kunati i saj, Dashamir Xhepa.

Ndërkohë makinat që u dogjën nga i riu janë në pronësi të Gëzim Xhepës. Kjo ngjarje dyshohet se ka ndodhur pas konflikteve të pronësisë.

Marius Xhepa pretendon se xhaxhallarët s’i kanë dhënë pjesë nga pronat e babait.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, ishin djegur 2 automjete të parkuara në oborrin e banesës së shtetasit G. Xh., 66 vjeç, kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore.

Nga veprimet e para hetimore është identifikuar autori i dyshuar, shtetasi M. Xh., 30 vjeç, i cili dyshohet se për motive pronësie, ka djegur 2 automjetet e xhaxhait të tij.

Vijon puna për kapjen e 30-vjeçarit dhe për dokumentimin ligjor të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se vrasja e Lirie Xhepës ka ndodhur 6 vite më përpara.

Nëna e 4 fëmijëve u gjet mëngjesin e 14 Shkurtit e torturuar me sende të forta.

Më pas ajo ishte qëlluar me dy plumba dhe trupi i ishte hedhur mes shkurreve.

Shkak i vrasjes sipas dosjes së prokurorisë, ishin dyshimet që Dashamir Xhepa pati se kunata kishte krijuar lidhje intime me persona të tjerë, pasi i kishte vdekur vëllai.

Video