EMRAT/ Renato Feri nuk është i vetmi, përjashtohen edhe dy efektivë të tjerë për sherre mes policësh

4 January 2023, 15:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EMRAT/ Renato Feri nuk është i vetmi, përjashtohen edhe dy
Policia e Shtetit

Policia e Shtetit ka konfirmuar përjashtimin nga radhët e uniformave blu të efektivit të Rrugores, Renato Feri. Ai u arrestua në fillim të muajit Dhjetor, pasi theu rregullat e qarkullimit dhe iu gjet kanabis në mjet.

Në momentin e ndalimit nga forcat "Shqiponja", Renato Feri kundërshoi, ofendoi dhe i kërcënoi kolegët e tij.

Por, bashkë me të janë përjashtuar nga radhët e uniformave blu edhe efektivi i Forcave Shqiponja Ylber Dybeli. Në rrugën e Barrikadave në kryeqytet, ai ka kryer një parkalmim të gabuar, ndërkohë që makinën e kishte me xhama të errësuar. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor të efektivit, është konstatuar nga polici Neri Hunda i cili i ka bërë shenjë që të ndalojë. Pasi e ka ndaluar, drejtuesi i mjetit, me detyrë polic i forcave Shqiponja, është konfliktuar me punonjësin e Policisë, Neri Hundën, të cilin e ka ofenduar e goditur për shkak të detyrës

Efektivi tjetër i përjashtuar është Redi Mato, punonjës policie, në Komisariatin e Elbasanit. Ai i ka zënë pritë natën së bashku me disa persona të tjerë, kolegut të tij, Ervis Hasa, duke e dhunuar me sende të forta. Shkaku ka qenë një konflikt mes tyre, disa ditë para kësaj ngjarjeje.

Njoftimi:

Përjashtohen nga Policia e Shtetit, 3 punonjës policie, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, në përfundim të hetimit të thelluar, të nisur për disa punonjës policie, për shkelje të rënda të rregullores së Policisë së Shtetit, i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, përjashtimin e 3 punonjësve të Policisë, si dhe shtyrjen e afatit të gradimit me 2 vjet, për një tjetër punonjës policie, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shkelur nenin 209 të Rregullores së Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar përjashtimin nga radhët e Policisë së Shtetit, të punonjësve të Policisë:

- Inspektor Y. D., me detyrë trup shërbimi në Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Ky punonjës policie u pezullua nga detyra, në datën 22.12.2022, pasi gjatë kohës që ka qenë jashtë orarit të shërbimit është konfliktuar me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë;

- Inspektor R. M., me detyrë trup shërbimi/OPP, në Seksionin për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pasi në datën 21.12.2022, është konfliktuar me punonjësin e policisë E. H., gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit;

- Inspektor R. F., me detyrë trup shërbimi, në Seksionin e Sigurisë dhe Objekteve, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kur është ndaluar nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, për të ushtruar kontroll në automjetin e tij, i ka kundërshtuar, ofenduar dhe kanosur ata.

Gjithashtu, në vijim të hetimeve të kryera, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka marrë vendimin, të cilin e ka miratuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për caktimin e masës disiplinore "Shtyrja e afatit të gradimit për 2 vjet", për punonjësin e Policisë E. H., me detyrë trup shërbimi/OPP, në Seksionin për Rendin, në Komisariatin e Policisë Elbasan, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pasi më datë 21.12.2022, është konfliktuar me punonjësin e policisë R. M., gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë shërbimit.

Policia e Shtetit është e vendosur për të larguar nga radhët e saj, cilindo punonjës Policie që abuzon me detyrën duke cënuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.


Video