Ekstradohen sot nga Dubai 3 të shumëkërkuar nga SPAK, pjesëtarë të organizatave kriminale (EMRAT)

19 Qershor 2025, 15:10Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Tre të shumëkërkuar nga autoritetet shqiptare do të ekstradohen sot drejt Shqipërisë nga Dubai.

Ata akuzohen nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pjesëtarë të organizatave kriminale, planifikim vrasjesh, sigurim kushtesh për diçka të tillë dhe përkrahje të personave të shumëkërkuar.

Bëhet fjalë për:

Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku, i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;

Ervis Daka, i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;

Maksim Koçi, i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.

“Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër”, njoftoi Policia e Shtetit.

Tashmë, duket se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë më strehë për personat që kryejnë krime dhe i shmangen drejtësisë.

Prej rreth një viti, Dubai, që është konsideruar si parajsë për këta persona, po i dëbon, për t’i përballur me akuzat e ngritura ndaj tyre.

Drejt vendit tonë janë ekstraduar emra si Julian Meçaj, Plaurent Dervishaj, Bruno Çobo, Florenc Çapja, Dashnor Dumani dhe Armis Stafa.


Video