I dehur në makinë, GJKKO dënon me 9 muaj deputetin e PD-së, por nuk do të shkojë në qeli

19 Qershor 2025, 14:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Deputeti demokrat Qani Xhafa dhe aksidenti dy vite më parë në Elbasan

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka relatuar konkluzionet përfundimtare për deputetin e Partisë Demokratike, Qani Xhafa, i cili akuzohet për drejtim mjeti në gjendje të parregullt.

Gjykata e Posaçme në seancë i ka kërkuar SPAK-ut që të mbajë parasysh faktin, që ai është deputet dhe familjar e për pasojë të dënohet me shërbim prove.

Avokati i tij kërkoi dënimin minimal ose me punë me interes publik, ose me gjobë.

“I mbrojturi prej meje ka pranuar ngjarjen. Sjellja e tij tregon që ai është një njeri i arsimuar. Atë ditë ka patur një feste familjare me miqtë dhe po kthehej në banesë. Kërkojmë dënimin minimum ose detyrimin me punë me interes publik, ose me gjobë”, tha avokati i Xhafës në seancë.

Prokuroria e Posaçme kërkoi përfundimisht dënimin me 6 muaj burg që t’i konvertohet në 1 vit shërbim prove. Po ashtu pasi avokati kërkoi që mund të dënohet me gjobë, SPAK ishte dakord që për mënyrën e vuajtjes së dënimit i pandehuri mund të paguajë një shumë në favor të shtetit.

Sipas SPAK, deputeti Xhafa, në gjendje të dehur, duke drejtuar automjetin e tij u aksidentua duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor.

GJKKO vendosi të dënonte me 9 muaj burg deputetin e PD, por vendimin i konvertoi në gjobë 900 mijë lekë.

Qani Xhafa kandidoi si deputet për Partinë Demokratike edhe në zgjedhjet e 11 majit.

Ai ishte në listën e hapur, ku ka dalë i pari mes kandidatëve demokratë me rreth 6 mijë vota për të, por pa arritur të hyjë në Parlament.

Video