"Edhe unë kam marrë bakshish", mjeku flet sërish: Pacientët shprehin mirënjohjen, nuk e kërkojmë ne

27 September 2022, 09:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

"Edhe unë kam marrë bakshish", mjeku flet sërish:

Mjeku Ilir Allkja ka reaguar sërish pas komenteve që kritikonin deklaratën e tij se “edhe ai kishte marrë bakshish”.

Mjeku komenton për Vox News dhe sqaron se bakshishi që ai merr është ndryshe nga ryshfeti të cilin e dënon, pasi është i paligjshëm.

"Për komentuesit anakronikë dua të sqaroj që:

#Bakshishi, shqip dhurata është një nga fenomenet më të përhapura në Shqipëri e mbarë botën. Njerëz të ndryshëm shprehin mirënjohjen për një ndihmë, vepër a përkrahje në një moment të caktuar nëpërmjet një dhurate.

Kjo ndodh edhe në mjekësi. Pacientë apo familjarë pacientësh, pas shërimit përgatisin një dhuratë për mjekun që ju ka shërbyer. Kjo dhuratë nuk është e domosdoshme e aspak e kërkuar.

Ata që e mohojnë janë thjeshtë hipokritë.

#Ryshfeti është dhënia e kushtëzuar e shërbimit mjekësor, e zgjidhjes së një problemi në administratë, polici, e drejtësisë në gjykata etj. Kjo është e paligjshme, e pamoralshme, është kriminale, unë e kam dënuar dhe e dënoj!

Jam shprehur që kam marrë dhurata, (bakshish) dhe kam theksuar që kam pranuar të tilla nga familjarë, kushurinj apo miq të mij për shërbime që kam kryer jashtë institucioneve ku kam punuar, në shtëpitë e tyre, dhe për këtë nuk ndjej turp pasi dhurata(bakshishi pra) ka qenë pa kërkesën time dhe në distancë kohe pas shërbimit.

Shkatërrimi i besimit mjek-pacient përveç mjekëve të zinj, pazarxhinj ka edhe kontributin e mediave, gazetarëve cinikë, të cilët për ca klikime më shumë hedhin në "sofrën" e sadistëve të rrjetit gjithçka, duke shtrembëruar të vërtetat!", thotë ai. 

 


Video