Gjin Guri, i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin ku iu vra babai, Zef Guri në Dukagjin, ka mohuar se autor i krimit të jetë kushëriri i tij, Gjovalin Guri, siç pretendoi policia.
“E turpshme”, kështu e konsideroi ai faktin që uniformat blu shpallën në kërkim djalin e xhaxhait të tij si autor i dyshuar.
Gjin Guri, nga Spitali i Traumës tha për News24, se kushëriri tij s’ka lidhje me ngjarjen dhe policia të gjejë autorët.
Gjin Guri tregon edhe se si ndodhi ngjarja teksa po vinte me babain nga Shoshi në drejtim të Shkodrës me këtë kamionçinë kur papritur u qëllua me automatik nga të paktën dy persona që ndodheshin të fshehur në këtë pjesë disa metra mbi rrugë ndërsa devijoi me dashje në humnerë për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave.
Këtë deklaratë i plagosuri Gjin Guri e ka dhënë edhe për Policinë e Shtetit duke hequr çdo dyshim të mundshëm se vrasja e babait të tij Zef Guri është bërë nga kushëriri Gjovalin Guri dhe duke i kërkuar policisë që të gjejë autorët e vërtetë.