Detaje të reja mësohen nga tragjedia në Shkodër, ku helmimi rezultoi fatal për një fëmijë 3-vjeç ndërsa motra e tij lufton për jetën në Tiranë. Sipas informacioneve jozyrtare, motër e vëlla dyshohet të jenë intoksikuar nga helmi kundër minjve.
Pak ditë më parë, prindërit e tyre kishin spërkatur me helm minjsh magazinën e banesës së tyre në fshatin Mjedë, ku dyshohet se aty fëmijët e mitur kanë rënë në kontakt fizik ose përmes frymëmarrjes me helmin toksik.
Po ashtu, spitali i Shkodrës thotë se babai i kishte dërguar dy fëmijët 3 dhe 7 vjeç për herë të parë ditën e premte, me dyshimet se ishin prekur nga virozat e stinës. Më pas ata u larguan për në banesë por u rikthyen të shtunën, këtë herë dy fëmijët e mitur ishin në gjendje të rëndë për jetën.
Sipas spitalit të Shkodrës, ditën e shtunë rreth orës 10:00 të paradites ata u paraqitën në gjendje të rënduar shëndetësore me insuficiencë kardiake (puls të ulët, shenja jetësore shumë të ulëta).
Djali 3-vjeçar humbi jetën 10 minuta pasi mbërriti në spital, ndërsa motra e tij 7-vjeçare u dërgua me urgjencë në Tiranë.
Analizat toksikologjike pritet të hedhin më shumë dritë rreth shkaqeve të kësaj tragjedie të rëndë.