Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së e Avokatisë së Shqipërisë është mbledhur ditën e premte në lidhje me problematikat e shkaktuara gjatë zbatimit në praktikën gjyqësore të reformës në drejtësi në të gjitha fushat penale, civile dhe administrative, si dhe ato të infrastrukturës së sistemit.
Një prej shkeljeve të konstatuara nga Dhoma e Avokatisë ishte edhe roli inaktiv i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Për këtë arsye Këshilli hartoi një sërë propozimesh për ndërhyrje në kuadrin ligjor të sistemit në fusha të ndryshme, por duke përsëritur edhe kërkesën për rishikimin e hartës gjyqësore.
Propozimet do t'i adresohen Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, si dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
"Ditën e premte u mblodh Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Nisur nga situata në sistemin gjyqësor, ky Këshill, mori në shqyrtim problematikën e shkaktuar gjatë zbatimit në praktikën gjyqësore të reformës në drejtësi në të gjitha fushat penale, civile dhe administrative, si dhe ato të infrastrukturës së sistemit, duke dalë me konkluzione konkrete për përmirësime të cilat do t’i bëhen prezente Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, si dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Gjithashtu, një vend parësor në rend të dites ishte edhe evidentimi i keqtrajtimit të veprimtarisë dhe rolit të mbrojtjes në proceset hetimore dhe gjyqësore, ku më evidentet ishin ato të konstatuara në dy Gjykatat e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në morinë e shkeljeve të konstatuara dhe të bëra prezente, u evidentua roli inaktiv i Ispektorit të Lartë tëDrejtësisë.
Në përmbyllje, Këshilli hartoi një sërë propozimesh për ndërhyrje në kuadrin ligjor të sistemit në fusha të ndryshme, duke përsëritur kërkesën për rishikimin e hartës gjyqësore.
Këshilli pas kontakteve me institucionet përkatëse, do të ndjekë në dinamikë dhe me përgjegjësi reagimin e tyre, për të riparë qëndrimin e Dhomës në ditët në vazhdim.
Për Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë
Kryetari
Prof Dr. Maksim HAXHIA", shkruhet në njoftimin e Dhomës së Avokatisë