E PLOTË/ Ervis Xhixha u mor PENG për 70 mijë euro, "USHTARI" i Vis Martinaj erdhi nga Dubai dhe organizoi "ÇUNAT" e Kamzës!

31 July 2024, 13:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
E PLOTË/ Ervis Xhixha u mor PENG për 70 mijë euro,
Foto: Ervis Xhixha/ Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka)

Ervis Xhixha, një person i skeduar nga Policia e Shtetit për një tentativë vrasje dhe i angazhuar në botën e biznesit, është marrë peng nga disa shtetas në zonën e Kamzës. 35 vjeçarit i është vendosur "gjobë" 70 mijë euro dhe ai nuk ka pranuar të paguajë.

Në këto kushte, Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka) ka organizuar "çunat" e Kamzës dhe kanë marrë peng Ervis Xhixhën.

Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka), Aleksandër Osmani, Artan Pirraçi, Fredi Keta, Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola e kanë torturuar e kërcënuar Ervis Xhixhën, por sërish ai nuk ka pranuar të paguajë "gjobën".

35 vjeçari ka shkuar në Polici dhe ka treguar gjithçka, duke vënë në lëvizje Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë dhe Prokurorinë e kryeqytetit, e cila sot ka ekzekutuar shtatë urdhër-arreste për këtë grup që vepronte në zonën e Kamzës.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacioni policor të koduar “The debt”. 

Njoftimi i policisë:

- u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka), 36 vjeç, Aleksandër Osmani, 37 vjeç, Artan Pirraçi, 50 vjeç, dhe Fredi Keta, 49 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

- u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit: Naim Qarri, 52 vjeç, Sajmir Kolaveri, 42 vjeç dhe Adem Metkola, 46 vjeç.

Tori Xhecuka (alias Hektor Xhecuka) është një emër shumë i njohur për autoritetet në Shqipëri pasi është konsideruar si një nga "ushtarët" e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, i akuzuar për disa ngjarje kriminale. Ai ka qenë më parë i dënuar për vrasje me dashje të mbetur në tentativë.

Po ashtu emri i Hektor Xheçukës doli edhe nga përgjimet e SkyECC.

Ervis Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro Albert Zajës që t’i shpenzonte për çfarë të donte bashkë me Hektor Xheçukën vetëm që në këmbim të eliminonin vëllezërit Durim dhe Valter Bamin.

Plani u prish pasi Hektor Xheçuka u përfshi në një plagosje më 4 korrik të vitit 2020, ku qëlloi me armë zjarri shtetasin Enrik Metra në Burrel.

Prej kohësh ai qëndronte në Dubai dhe siç duket, me ardhjen në Shqipëri ka organizuar grupin e Kamzës duke vendosur gjoba ndaj bizneseve.


Video