Familjarët e 51-vjeçarit Ylli Mera, ende nuk e dinë se çfarë ka ndodhur me të, pasi u gjet i vrarë në një mal në Selanik, teksa ata po e kërkonin prej gati një jave.
Vëllai i tij ishte njeriu që u shqetësua kur 51-vjeçari u largua për të prerë dru në mal dhe nuk dha shenja jete për tre ditë të tëra, duke u deklaruar zyrtarisht të zhdukur në polici më 4 nëntor.
Duke folur për mediat greke, vëllai i Ylli Meras ka thënë se di vetëm ato që kanë dalë në media, teksa motorsekën e ka gjetur në vendin e ngjarjes.
“Vëllain e gjetën të vdekur në mal, kishte shkuar atje me një grek, ndoshta për të prerë dru, ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, por kemi dëgjuar që i është prerë këmba, aty e kanë gjetur sharrën elektrike me motor. Kanë punuar bashkë me njeriun që ka shkuar në mal, por nuk di gjë më shumë, në Greqi jam vetëm unë, më vjen shumë keq për këtë ngjarje tragjike që ka ndodhur në familjen tonë, presim të mësojmë më shumë nga policia që po vijon hetimet.” -tha ai.
Që në momentin e parë që u raportua për zhdukjen e tij, alarmi u ngrit dhe policia nisi kërkimet intensive për gjetjen e tij, ndërsa grumbulloi edhe dëshmitë e personave që e njihnin mirë 51-vjeçarin dhe programin që ai ndiqte.
Pasditen e së dielës, punonjës policie të Departamentit të Krimeve Kundër Jetës nga shërbime të ndryshme të Policisë Helenike dhe me ndihmën e qenit të policisë “Shkëndija”, kanë arritur ta lokalizojnë në një zonë malore të Bashkisë së Volvit.
Shqiptari u gjet në gjendje të mjerueshme, pa ndjenja dhe pranë trupit të tij të pajetë kishte shenja gjaku, si pasojë e plagës me sharrë elektrike në kofshë.
Çfarë ndodhi në mal?
Siç raportojnë banorët e fshatit për protothema.gr, 51-vjeçari e njihte dhe kishte marrëdhënie shumë të mira me 59-vjeçarin me të cilin kanë shkuar në mal ditën e martë për prerje të paligjshme.
Nuk ishte hera e parë që të dy personat shkonin bashkë për të prerë dru dhe më pas i shisnin në zonë.
Viktima dyshohet se do të merrte një shumë si punëtor, ndërsa 59-vjeçari mbante fitimin nga shitjet.
Mirëpo, gjërat morën një rrjedhë krejtësisht të ndryshme ndërsa dy burrat ishin në mal.
Gjatë punës dhe ende nuk dihet sesi, 59-vjeçari ka plagosur veten me sharrë elektrike, ndërsa viktima ka mbetur i plagosur për vdekje nga mjeti prerës në kofshë.
Ajo që ngre pikëpyetje serioze është fakti se 59-vjeçari ka kontaktuar të birin për ta çuar në qendrën shëndetësore të zonës, ndërsa e ka lënë shqiptarin të vetëm dhe të pafuqishëm, i cili për pasojë ka humbur jetën tragjikisht në pyllin e thellë.
Gjithashtu, siç konstatohet nga hetimet policore, 59-vjeçari ka marrë me vete celularin e viktimës dhe e ka hedhur në asfalt gjatë rrugëtimit.
Në kontrollet e kryera nga policia në shtëpinë e 59-vjeçarit dhe në automjetin e djalit të tij 28-vjeçar, u gjetën gjithsej pesë thika, ndaj të dy personat u arrestuan për armëmbajtje pa leje.
Dy të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Selanikut.
Bëhet e ditur se 59-vjeçari nuk ka treguar për vendndodhjen e trupit të pajetë të shqiptarit.
Ata shpesh shkonin sëbashku në mal
I gjithë fshati ku jetonte 51-vjeçari shqiptar fatkeq në dekadat e fundit është tronditur nga ngjarja tragjike.
“Nuk kishte njeri më të mirë. Ai kishte vite që jetonte këtu. Dëgjuam se Kosta (siç e thërrisnin në Greqi) kishte shkuar në mal dhe kishte vdekur. Kishte shkuar disa herë për punë, për të prerë dru. Dy burrat kishin shkuar shumë herë bashkë”, tha për protothema.gr, Giorgos Tsakalides, një banor i fshatit që i njihte të dy burrat prej shumë vitesh.
"Policia e gjeti në mal. Me njeriun me të cilin kishin shkuar të martën, shkonin shpesh bashkë, pothuajse çdo ditë e çonte në punë", vuri në dukje ai.