Dy “kallashë” dhe një “MP5”, kush ishin 'specialet' që ekzekutuan tre të rinjtë në Fushë Krujë?

20 July 2022, 09:35Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dy “kallashë” dhe një “MP5”, kush ishin
Brilant Martinaj

3 të rinjtë e ekzekutuar 3 ditë më parë në Fushë-Krujë, u pritën nga atentatorët për rreth 60 minuta në afërsi të mbikalimit. Burime për VoxNews thanë se mjeti tip Volvsvagen Passat që lëviznin autorët qëndroi poshtë mbikalimit deri në momentin që automjeti i viktimave u afrua në vendin ku krye atentati.

Policia ka ndërtuar tashmë dinamikën e atentatit me tre viktima mesditën e djeshme në Fushë Krujë duke marrë edhe dëshmitë e personave që u gjenden rastësisht aty si edhe pas këqyrjes së kamerave të sigurisë.

Ekspertët janë kthyer në vendin e ngjarjes dhe po këqyrin kamerat e sigurisë pasi dyshohet se një makinë i ka ndjekur viktimat që nga Rinasi në drejtim të Fushë Krujës.

A ishin komando vrasësit e Brilant Martinaj dhe shokët e tij?

Njëra makinë i ndiqte viktimat nga pas në drejtimin Tiranë-Mamurras duke dhënë informacion për vendndodhjen e tyre te autorët, këta të fundit vinin përballë në drejtimin Mamurras-Tiranë.

Sapo viktimat futen te mbikalimi i Fushë Krujës, përballë u del makina e autorëve, e cila në fillim u zë rrugën dhe më pas prej saj dalin në mënyrë të sinkronizuar tre autorët, të cilët të pajisur dy me kallashnikovë dhe njëri me automatik “MP5”, kanë derdhur rreth 90 plumba brenda pak sekondash në drejtim të tyre.

Pasi i ka shpëtuar goditjes së parë, nga dera e pasme e makinës del Diklen Vata, i cili ishte edhe në rolin e badigardit të Brilant Martinajt. Ai mundi të largohet vetëm pak metra nga makina, pasi autorët u kthyen dhe e qëlluan nga afër duke e lënë të vdekur në vend.

A ishte Brilant Martinaj objektivi i sulmit dhe pse?

Policia dyshon se objektivi i atentatit ishte pikërisht Brilant Martinaj. Kjo, pasi sipas policisë, pjesa më e madhe e plumbave të autorëve ishin në drejtim të pasagjerit në vendin e parë të makinës, ku edhe gjendej i ulur Martinaj.

Pas kryerjes së atentatit dhe sigurimit që nuk kishin lënë asnjë gjallë, autorët largohen sërish në mënyrë të organizuar dhe djegin makinën pak kilometra më tej duke u marrë nga një makinë tjetër, e cila dyshohet pikërisht se ka qenë makina që ndoqi viktimat nga Rinasi deri në Fushë Krujë.

A ishte Ervis Martinaj shkaku i vrasjes së kushëririt të tij?

Një seri ngjarjesh dhe konfliktesh në të cilat prej vitesh ka qenë i përfshirë grupi i drejtuar nga Ervis Martinaj, duket se e bëjnë edhe më të vështirë zbardhjen e vrasjes së kushëririt të tij të parë Brilant Martinaj pasditen e kësaj të diele.

Duket se policia ende nuk ka ngritur një pistë lidhur me ngjarjen, ndërsa në fshatin Nikël kanë nisur të merren në pyetje persona që mund të kenë dijeni.

Ndërsa kujtojmë se Brilant Martinaj ndjek në fakt vrasjet që ju bëhen njerëzve pranë Ervis Martinajt më e fundit ajo e Erigers Mihasit në Dhjetor të vitit të shkuar në zonën e Astirit, e më herët ajo e Santiago Malkos në gusht të vitit 2019, një tjetër njeri i besuar i tij.

Nisur nga kjo logjikë, e këtyre vrasjeve të njëpasnjëshme, gazetarja Klodiana Lala tha se për policinë do të jetë e vështirë kufizimi në një pistë, duke kujtuar konfliktet më të forta të Martianjt: Ai  me familjen Reçi, ku Brilant Martinaj u dyshua për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi dhe konflikti me klanin Duka me 8 persona të shpallur në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos.

Nisur nga kjo logjikë, dyshimet e forta janë se shënjestër e sulmit ka qenë pikërisht Brilant Martinaj, ndërkohë që të paktën deri në këto momente konfirmohet se Diklen Vata ka qenë vetëm turproja e tij.

Kujtojmë gjithashtu se edhe vetë Ervis Martinaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar pas një urdhri të SPAK, bazuar në dëshminë e  Nuredin Dumanit që pohonte se Martianj i kishte porositur vrasjen e Indrit Dokles.

VoxNews


Video