
Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim fraksionin e dytë të dosjes “5D”, teksa në të parin ndodhen ish-drejtorët e pandehur të Bashkisë Tiranë.
Në këtë fashikull nën akuzë janë ish-anëtarët e Komisionit të Ofertave, zyrtarët:
Eglantina Zëre, Deborah Keçi, Teuta Guri, Jetjon Mera, Reinaldo Gjerazi, Enekleida Qyta, Bruno Koçi, Riviola Baxha dhe Kristo Zhulati.
Të gjithë të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila është pranuar nga togat e zeza.
Sipas SPAK, është provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qenë të paracaktuar për t'u shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zëre, ku përfitues të tenderave ishin drejtorët e bashkisë, njëherësh pronarë faktikë të kompanisë “5D”.