Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë pushimin e hetimit ndaj kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Florian Sulejmani, pasi nuk ka vepër penale. Vendimi vjen disa ditë pas skandalit të paprecedentë të Gjykatës dhe Prokurorisë së Beratit, të cilët hetuan dhe pezulluan nga detyra drejtuesin e një institucioni të krijuar me një ligj të veçantë.
Absurditeti i hetimit dhe pezullimit konsistonte se Sulejmani kishte transferuar në detyrë disa punonjës të AMP-së, transferim i cili parashikohet edhe në ligjin apo kompetencat e drejtorit të kësaj Agjencie. VoxNews ka ndjekur të gjithë çështjen, nga regjistrimi në Prokurorinë e Beratit, në vendimin e pezullimit nga Gjykata e Beratit dhe më pas transferimin e çështjes në Tiranë.
Nga analizimi i fakteve me ligjet dhe kodet e shtetit shqiptar rezultoi se pezullimi dhe masa ishte një shkelje e hapur e të gjithë praktikës nga drejtësia e Beratit, madje ngjasonte me një lloj përdorje e prokurorisë dhe gjykatës për interesa tepër të ngushta dhe personale. Por, kur çështja u transferua në Tiranë, e gjithë flluska e Beratit ra, aq sa organit të akuzës së kryeqytetit iu deshën vetëm disa ditë që, të kërkonte heqjen e pezullimit dhe më pas të kërkojë pushimin e hetimeve.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Prokuroria e Tiranës thotë se në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.2823, të filluar në datën 25 prill në ngarkim të shtetasit Florian Sulejmani, i dyshuar për veprën penale shpërdorim detyre, ka rezultuar se Prokuroria e Beratit, me një urdhër të datës 12.10.2024 ka urdhëruar kryerjen e regjistrimit të procedimit penal me numër 613, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, mbi bazën e të dhënave të marra me iniciative.
“Me vendimin për ndarjen e çështjes të datës 9 prill 2025, është ndarë procedimi penal në ngarkim të shtetasit Florian Sulejmani, duke e numërtuar atë 613\1, të vitit 2025. Prokuroria e Beratit ka hetuar transferimin e oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, duke vlerësuar se kjo prokurori se transferimi i tyre është bërë në kundërshtim me ligjin me numër 25 të vitit 2019, “për Organizimin dhe Funksionimin e Policisë gjyqësore, duke dëmtuar interesat e ligjshëm” thuhet në këtë vendim.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, “në kushtet kur personi nën hetim ka ndjekur një praktikë të konsoliduar administrative konkludohet se mungon dashja si element i anës subjektive të veprës penale”. Pra e shkruar mjaft qartë se procedura e ndjekur është vetëm adminsitrative dhe s’ka vepër penale! Ku e gjeti veprën Prokuroria dhe Gjykata e Beratit?!

Në dokument, që ka siguruar VoxNews, përcaktohet se në rastin objekt hetimi mungojnë elementët objektiv dhe subjektiv të veprës penale “shpërdorimi i detyrës”, pasi mungon kundërligjshmëria e veprimit të kryer, pasoja (dëmtimi i interesave të personave privat apo shtetit) si dhe dashja për kryerjen e veprimit të kundraligjshëm.
“Për të gjitha sa më sipër arrihet në konkluzionin që fakti nuk përmban elemente të veprës penale apo të ndonjë vepre tjetër penale të kryer nga drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani. Sa më sipër çështja penale në ngarkim të tij për veprën penale të parashikuar dhe duhet të pushohet pasi jemi përpara rastit të parashikuar nga neni 328, fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Për këto arsye, kërkoj pushimin e procedimin penal” shkruan prokurori Valentin Preçi.

Para pak ditësh, VoxNews denoncoi se dosja ndaj Sulejmanit ishte “një flluskë sapuni”. Madje, redaksia jonë ngriti pyetjen nëse do hetohet “grupi i drejtësisë së Beratit” nga SPAK për dosjen “AMP”?!
“Veprimet e Beratit i ngjasojnë një ‘komploti’, me shumë interesa rreth e rrotull. Me njerëz që, si hakmarrje për vendimet e Sulejmanit, vepruan tinëzar, duke e pezulluar në një drejtësi periferike. Po tani që ka vepruar dhe vendosur Gjykata e Tiranës, ku do të ‘fshihen’?! Normalisht, hetimi i njerëzve të drejtësisë, bëhet nga Prokuroria e Posaçme, e cila mund të veprojë tashmë jo për Sulejmanin, por për qarqet e drejtësisë në Berat, të cilët veprojnë për interesa tepër të ngushta dhe personalë. Por kur drejtësia kthehet në personale apo për hakmarrje, kemi të bëjmë me një mori shkeljesh dhe veprash penale” do të denonconte VoxNews.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.