
Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu tha se Faton Hajrizi nuk mund të quhet hero pasi ka pasur vepra të rënda penale.
Haxhiu konfirmoi se do të shqyrtohet një autopsi e re për të arratisurin nga një burg i Kosovës që u vra nga Serbia me pretendimin se qëlloi me armë për vdekje një polic serb.
“Për mua është shqetësuese apo më duhet me thënë është shqetësues diskursi dhe vlerat që po tentohet t’i humbin si shoqëri. Nuk mundet të quhet hero një person i cili ka vepra të rënda, i cili ka plagosur policinë e Kosovës, i cili është dënuar për vepra të rënda kriminale. Pas reagimit dhe qasjes që kam pasur kam pranuar kërcënime nga individ të ndryshëm. Për të shmangur çfarëdo situate e kemi pa të kemi masë mbrojtëse. Ndoshta mund të konsiderohet riautopsia e trupit të Faton Hajrizit. Dje është thënë se gjurmët përputhen me personat por natyrisht se na duhen informatat më të rëndësishme.”
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, i bëri deklaratat pasi u thirr për të dytën ditë radhazi nga Prokuroria Speciale.
Ajo konfirmoi se është pyetur për deklaratat e saja për arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës si dhe sqarimit të deklaratës së saj lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara.
Haxhiu akuzoi prokurorinë se po përpiqet të pengojë reformën në drejtësi dhe se nuk merret me çështje serioze si sulmi në Banjskë apo ai në Ujman. Ministrja shtoi se mund të thirret nga prokuroria edhe si e dyshuar.
“Më habit fakti që Prokuroria zgjohet pas reagimit tim në rrjetin social Facebook sepse është dashtë të jetë vigjilente në vazhdimësi për tendencat e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin. Po ashtu, sulmeve të vazhdueshme terroriste siç ishte rasti i Basnjkës dhe sulmi në Ujman. Si duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë në vazhdimësi që në çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë bërë autorizim policinë për ta marrë deklaratën time. Kjo situatë ka mundur të përmbyllet ndryshe. Unë jam ministre e Drejtësisë, pas reagimit ka qenë e udhës që të më ftojë në kuadër të bashkëpunimit institucional. Por përpjekjet e tyre me autorizim të policisë në cilësinë e dëshmitarit që të intervistohem tregojnë shumë për qasjen që kanë dhe motivet. Është e habitshme dhe shokuese që njëra prej pyetjeve që më është parashtruar sot: ‘Çka ke menduar ti me ndikimet e Serbisë në burgjet e Kosovës’. Ju lutem hyni dhe shihni nëse kam përmendur ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës. Kjo nuk qëndron. Kjo është shpifje dhe thashetheme. Unë asnjëherë nuk kam thënë se Serbia ka ndikim në burgjet e Kosovës. Këtë e ka thënë PDK-ja dhe ca analistë të cilët qëllimshëm kanë mashtruar opinionin”.